E mërkurë, 11 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Banorët e Maliqit fituan betejën kundër HEC-it, investitori tërhiqet pas protestave
Lajme

Banorët e Maliqit fituan betejën kundër HEC-it, investitori tërhiqet pas protestave

Protestat e banorëve të zonës së Gorës në Maliq kundër ndërtimit të një hidrocentrali kanë sjellë ndryshimin e projektit fillestar. Investitori Eri Agolli ka deklaruar se heq dorë nga ndërtimi i HEC-it në zonat ku banorët kundërshtuan marrjen e ujit dhe do ta zhvendosë projektin drejt përrenjve të Plovishtit dhe Bickës.

Shkak për reagimin e banorëve është bërë shqetësimi se devijimi i ujërave të përrenjve do të linte pa furnizim tokat bujqësore, duke rrezikuar vaditjen dhe aktivitetin e tyre ekonomik. Ata kundërshtuan mundësinë që burimet ujore të përdoren për prodhimin e energjisë, në dëm të nevojave të komunitetit dhe bujqësisë.

Gjatë protestës, banorët paralajmëruan se nuk do të lejonin marrjen e ujit nga përrenjtë, duke e konsideruar projektin një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetesën e tyre.

“Unë kam tokat dhe nuk e lejoj të më marrë ujin. Të më thajë mua tokën që të fitojë ai? Të gjithë jemi kundër. Nuk e lëmë të marrë ujin sipas dëshirës së tij. Do të na fusë në vëllavrasje”, u shprehën banorët, duke kundërshtuar projektin.

Investitori ndryshon projektin: “Kam hequr dorë nga ai variant”

Pas kundërshtimeve të komunitetit, investitori Eri Agolli ka deklaruar se nuk do ta vijojë projektin sipas variantit fillestar në zonat ku ka hasur rezistencën e banorëve.

Ai bëri të ditur se ka vendosur të heqë dorë nga ndërhyrjet e kundërshtuara në zonat e Kolanecit dhe Goçës, ndërsa synon të vijojë me një projekt të ndryshuar në përroin e Plovishtit dhe atë të Bickës.

“Janë banorët e Kolanecit dhe Goçës, hoqa dorë nga ai variant. Me akt noterial, me të gjitha. Dua të bëj përroin e Plovishtit dhe Bickës. Po bëjmë lejen mjedisore dhe gjërat që duhen bërë. Unë jam dakord për projektin e Bickës e Gjyrasit, aty ku ka kundërshtime kam hequr dorë. Do ta vijoj, por me ndryshime”, deklaroi Agolli.

Sipas tij, projekti do të marrë një drejtim tjetër, duke shmangur zonat ku banorët kanë shprehur kundërshtimin e tyre.

Sazan Guri: Katër përrenj rrezikojnë të përfundojnë në tuba

Në krah të banorëve është pozicionuar edhe ambientalisti Sazan Guri, i cili e ka cilësuar projektin si një ndërhyrje me pasoja të rënda për ekosistemin dhe burimet natyrore të zonës.

Guri ngriti shqetësimin se ndërtimi i hidrocentralit do të ndikonte në rrjedhën natyrore të katër përrenjve, të cilët sipas tij janë jetikë për komunitetin dhe mjedisin përreth.

“Banorët janë në protestë sepse katër përrenjtë që kanë lidhur jetën do të futen në tuba. Pse e do jetën një njeri që nuk ka as gjelbërim, as ekologji, kur nuk ka ujë për tokat? Ka rezervuar për tokat, nuk do ta ketë”, u shpreh ambientalisti.

Për momentin, tërheqja e investitorit nga variantet e kundërshtuara përbën një zhvillim të rëndësishëm për banorët e Gorës, të cilët kërkojnë mbrojtjen e burimeve ujore dhe garantimin e vaditjes së tokave bujqësore.

Megjithatë, zhvendosja e projektit drejt përrenjve të tjerë hap një tjetër çështje: ndikimin që mund të ketë ndërtimi i HEC-it në zonat e reja dhe qëndrimin e komuniteteve që jetojnë pranë tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.