Një robot humanoid është përpjekur të sfidojë kushtet ekstreme të Antarktidës, duke marrë pjesë në një garë maratonë mes akullit dhe temperaturave që arrinin deri në -24 gradë Celsius. Por eksperimenti teknologjik nuk shkoi sipas parashikimeve, pasi roboti u detyrua të tërhiqej pas vetëm tre kilometrash, për shkak se i mbaroi bateria.
Roboti, i quajtur Qestr, mori pjesë të dielën në garën Antarctic Ice Ultra, një aktivitet që zhvillohet në një nga mjediset më të vështira në planet. Ai u rreshtua në vijën e nisjes së bashku me 24 vrapues të tjerë, duke u përballur me temperatura polare dhe terrenin e mbuluar nga bora dhe akulli. Pavarësisht se ishte pajisur me një xhaketë të posaçme termike për t’u mbrojtur nga i ftohti ekstrem, kjo nuk mjaftoi për ta ndihmuar të përfundonte garën. Pas përshkimit të rreth tre kilometrave, bateria e robotit u shkarkua plotësisht, duke i dhënë fund përpjekjes së tij.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë robotin humanoid duke lëvizur nëpër sipërfaqen e mbuluar me dëborë, i veshur me pajisjet mbrojtëse, ndërsa përpiqet të përballojë kushtet e vështira atmosferike. Sipas organizatorit Oliver Wang, kjo ishte hera e parë që një robot humanoid merrte pjesë në këtë aktivitet, duke e kthyer garën në një provë të pazakontë për teknologjinë moderne.
Ndryshe nga Qestr, atletët njerëzorë vijuan garën, ku pjesëmarrësit përshkojnë distanca deri në 160 kilometra. Një tjetër sfidë ku, të paktën për momentin, qëndrueshmëria njerëzore rezultoi më e fortë se teknologjia.