BERZH-i shpreh gatishmëri për mbështetjen e projekteve energjetike në Kosovë

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka pritur në takim drejtorin menaxhues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Evropën Juglindore, Grzegorz Zielinski, me të cilin ka diskutuar për prioritetet e sektorit të energjisë dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe këtij institucioni financiar.
Në takim u diskutua për projektet e tranzicionit energjetik dhe mbështetjen që BERZH-i mund t'i ofrojë Kosovës në realizimin e tyre.
Kjo ishte vizita e parë e Zielinskit në Kosovë që nga emërimi i tij në këtë pozitë më 1 qershor 2026.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm, ndërsa një rëndësi e veçantë iu kushtua integrimit të burimeve të ripërtërishme në sistemin energjetik. BERZH-i shprehu interesim për të mbështetur hartimin dhe zbatimin e ankandeve për energjinë e ripërtërishme, me synim rritjen e kapaciteteve vendore të energjisë së pastër dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Palët diskutuan edhe për zbatimin e projekteve të efiçiencës së energjisë dhe zgjerimin e mundësive të financimit për qytetarët dhe bizneset përmes linjave kreditore në bashkëpunim me institucionet financiare vendore.
Në këtë drejtim, u trajtua edhe mbështetja për programet e financimit të gjelbër, të cilat synojnë lehtësimin e investimeve në teknologji të pastra dhe masa për kursimin e energjisë.
Zëvendësministri Mjeku falënderoi BERZH-in për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sektorit të energjisë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare për përshpejtimin e tranzicionit energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Në përfundim, të dyja palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në projekte strategjike, me synim ndërtimin e një sektori energjetik më të qëndrueshëm, konkurrues dhe të integruar me tregjet evropiane. /Telegrafi/


































