Bordi i Transparencës ka caktuar sot (11 nëntor) çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në vend.
Nafta do të tregtohet me jo më shumë se 205 lekë për litër, ndërsa benzina me 164 lekë për litër, me një ulje prej 3 lekësh të dyja.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi maksimal i shitjes me shumicë për gazoilin, nafta, është përcaktuar në 193 lekë për litër, ndërsa për benzinën në 152 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot në orën 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.
Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 16 shtator 2026 dhe aktet ligjore përkatëse.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të çmimeve tavan, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se synojnë mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Njoftimi i Bordit:
“Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 11 Nëntor 2026, vendosi:
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 205 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 193 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 164 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 152 lekë/litër.
-Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 11 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
-Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
-Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
-Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg”.










