Një 19-vjeçar është arrestuar në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka vjedhur në dy raste shuma parash nga arka e një objekti kulti në lagjen 'Partizani'.

Sipas Policisë vjedhjet janë kryer mbrëmjet e datave 8 dhe 9 nëntor, ndërsa i riu kishte vetëm një javë që kishte përfunduar dënimin me burgim për vjedhje. Pas kallëzimit të administratorit të objektit, uniformat identifikuan dhe arrestuan 19-vjeçarin.

Ndërkohë hetimet vijojnë për të zbardhur nëse ai është autor edhe i vjedhjeve të tjera.

Njoftimi i policisë:

Gjirokastër/Finalizohet operacioni i koduar “Arka”.

Vodhi 2 herë në arkën e një objekti kulti, 1 javë pasi kishte kryer dënimin me burgim, për vjedhje, vihet në pranga 19-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të administratorit të një objekti kulti, në lagjen Partizani, se mbrëmjet e datave 8 dhe 9 nëntor, ishin vjedhur shuma parash, nga arka e objektit, finalizuan operacionin e koduar “Arka”.

Në kuadër të operacionit u identifikua, u lokalizua dhe u arrestua autori i dyshuar i vjedhjeve, shtetasi K. Ll., 19 vjeç, banues në Gjirokastër.

Hetimi vijon për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore, vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë