Nga Boldnews.al
Në 24 orët e fundit, tre drejtorë të rëndësishëm qeveritarë, të emëruar nga ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, kanë dhënë dorëheqjen. Pak ditë më parë, një i katërt është larguar nga posti i rëndësishëm. Të tjerë “çuna të Belës” gjenden të arrestuar apo të pandehur për afera korruptive.
A po shënojnë këto lëvizje fundin e “perandorisë së drejtorëve” të Ballukut? Një nga njerëzit më të pushtetshëm gjatë qeverisjeve të kryeministrit Edi Rama, Belinda Balluku krijoi një pol të rëndësishëm politik, nëpërmjet një rrjeti vartësish të besuar, të cilët menaxhonin sektorët me parcelat më të mëdha financiare.
Ende e pushtetshme megjithëse nuk ka një post qeveritar, toka nën këmbët e Ballukut u trondit fort pasi Prokuroria e Posaçme e mori të pandehur për disa vepra të rënda penale, përfshirë “korrupsion i zyrtarëve të lartë”, “pastrim parash” e “fshehje pasurie”.
Pas goditjes penale, tashmë Belinda Balluku, me shumë mundësi, do të duhet të pranojë edhe faktin e “goditjes politike”. Shenja më e dukshme është largimi i drejtorëve të saj.
“Dorëheqjet” e drejtorëve të Belës
Pasditen e 9 nëntorit 2026, Liburn Aliu, drejtor i Autoritetit Portual të Durrësit, njoftoi se kishte dhënë dorëheqjen. Ai u emërua në këtë detyrë në Tetor të vitit 2025, në një ceremoni të posaçme, të organizuar nga Ministrja e Infrastrukturës e asaj kohe, Belinda Balluku.
Liburn Aliu kishte mbajtur më herët postin e Ministrit të Industrisë dhe Energjitikës në qeverinë e Republikës së Kosovës në periudhën 2021-2025. Pasi dha dorëheqjen nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, ai u emërua me firmën e Ballukut në krye të portit më të madh të Shqipërisë.
Në 10 nëntor 2026, u njoftua publikisht dorëheqjen e administratores së Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare (KESH), Viola Haxhiademi dhe drejtuesi i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj.
Të dy janë emëruar në poste nga Belinda Balluku dhe njihen si ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të saj.
Viola Haxhiademi ka qenë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës, gjatë kohës që institucioni drejtohej nga Balluku. Ajo është marrë e pandehur në dosjen që Prokuroria e Posaçme ka bërë gati për gjykim ndaj ish-zv.kryeministres dhe disa personave të tjerë.
Viola Haxhiademi dhe Maksim Et’hemaj janë pjesë e “grupit Dhërmiu”, një grup në platformën “Whatsapp” të krijuar nga Balluku me vartësit e bashkëpunëtorët e saj që zotërojnë vila në kompleksin “White Rocks”, në Dhërmi.
Në 13 Tetor 2026 raportohet se ka dhënë dorëheqjen Mario Bakalli, drejtues i Entit Kombëtar të Operimit Rrugor. Bakalli është konsideruar si një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ballukut gjatë kohës që ajo mbajti postin e drejtueses politike për Qarkun e Dibrës.
Këto largime nuk duket se janë pjesë e kërkesës së prezantuar më herët nga kryeministri Edi Rama, sipas të cilës të gjithë drejtorët duhet të japin dorëheqjen. Rama shpjegoi se dorëheqja nuk do të miratohet, derisa Ministria e sapokrijuar e Administratës Publike, të kryejë vlerësimin e performancës së tyre.
Ata që e kalojnë testin do të konfirmohen në detyrë. Procesi i testimit ende nuk është kryer, ndaj “dorëheqja” e katër drejtorëve të Ballukut nuk duket se ka lidhje me “planin e Ramës” për performancë të mirë.
“Çunat” e arrestuar të Belës
Ata që kanë dhënë dorëheqjen, me shumë mundësi, do të luten që të mos kenë fatin e disa kolegëve të tyre, të cilët kanë provuar prangat apo masat e arrestit në shtëpi. Natyrisht, bëhet fjalë sërish për drejtorët e emëruar nga Belinda Balluku.
Evis Berberi, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor (ARRSH), u arrestua për afera në tenderat e rrugëve. Akuzat ndaj tij u rënduan në dosjen penale ndaj Belinda Ballukut. Berberi njihej si një prej “beniaminëve” kryesorë të shefes së tij.
Gentian Gjyli ishte pasues i Berberit në krye të ARRSH-së dhe, si për ironi të fatit, ndoqi fatin e paraardhësit, duke përfunduar në arrest shtëpi dhe tashmë, zyrtarisht i pandehur në dosjen “Balluku”.
Erald Elezi është paraardhësi i Viola Haxhiademit në krye të Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare (KESH). Një ndër vartësit e besuar të Ballukut, edhe Elezi qëndroi në ‘arrest shtëpie” dhe tashmë është i bashkëpandehur me ish-shefen e tij për abuzim me tenderat.
Lista e “drejtorëve të Belës” është akoma më e gjatë. Disa prej tyre u bënë deputet, ndërsa disa të tjerë vijojnë të drejtojnë institucione të rëndësishme publike, derisa të vijë momenti që të “dorëhiqen”.
LEXO EDHE:
Kush janë 13 “Çunat e Belës” që menaxhojnë miliardat e Shtetit
“Balluku”/ Standardi i dyfishtë, SPAK-u si vegël në duart e Ramës













