Kate Middleton flet për herë të parë për rikuperimin nga kanceri: Natyra është një mësuese e heshtur

Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka folur për herë të parë me detaje rreth rrugëtimit të saj të rikuperimit pas diagnostikimit me kancer në vitin 2024, duke zbuluar edhe rolin e rëndësishëm që ka luajtur natyra gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Në një intervistë për revistën “Country Life”, të realizuar në kuadër të një botimi special të kuruar nga Princi William, Kate ndau me shkrimtarin Robert Macfarlane reflektimet e saj mbi shërimin dhe forcën që ka gjetur te natyra.
“Kur isha në spital, më thanë se rikuperimi im nuk do të ishte një proces linear. Do të kishte ditë të mira dhe të këqija dhe se do të kërkonte kohë. E njëjta gjë vlen edhe për natyrën”, u shpreh princesha.
E pyetur se ku e gjen burimin kryesor të shpresës, Kate tha se përgjigjen e gjen te mësimet që na jep natyra, e cila i kujton se njerëzit nuk janë vetëm dhe se janë pjesë e diçkaje më të madhe.
Ajo e përshkroi natyrën si një “mësuese të heshtur” gjatë periudhave të vështira të jetës, duke theksuar rëndësinë e njerëzve të besuar dhe të vendeve ku mund të gjesh qetësi.
“Ndjenja e lidhjes, të kesh njerëz të besuar pranë vetes dhe vende ku ndihesh në paqe mund të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme në momente të vështira”, tha Kate.
Gjatë intervistës, princesha foli gjithashtu për mënyrën se si rrit tre fëmijët e saj, princat George dhe Louis dhe princeshën Charlotte. Ajo tregoi se përpiqet t’u japë atyre lirinë për të eksploruar botën dhe për të krijuar përvojat e tyre, në vend që t’u diktojë vazhdimisht çfarë duhet të shohin apo të mendojnë.
/vizionplus.tv




