Partia Demokratike aktualisht ka bojkotuar Komisionin e Reformës Zgjedhore. Në të vërtetë, bojkoti ka filluar që me krijimin e këtij komisioni në vitin 2025.
Ky qëndrim i PD-së nuk është i ri. Që nga dalja në opozitë në vitin 2013, PD-ja i ka zvarritur komisionet e reformës zgjedhore deri në limitet e fundit kohore, për të bërë të mundur pazarin me PS-në dhe për të miratuar çfarë u intereson atyre.
Pazari i fundit ishte ai i vitit 2024 për sistemin aktual zgjedhor, me lista të mbyllura të kombinuara me pak vende në lista të hapura. Ky sistem u intereson të dyja partive, pasi garanton zgjedhjen si deputetë të nomenklaturave përkatëse partiake.
Për aq sa e njoh unë PD-në, ajo nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar për votim dhe numërim elektronik, për depolitizimin e administratës zgjedhore, për rregulla të ashpra në financimin e partive politike, për rregulla të reja për median, pasi me miratimin e tyre i bien argumentet për të justifikuar humbjet e vazhdueshme të zgjedhjeve vendore e qendrore.
PD-ja nuk është e interesuar për lista të hapura zgjedhore. Deklarimi i saj pro listave të hapura nuk është i sinqertë, por pjesë e lojës së saj me reformën zgjedhore.
Nëse miratohen listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, një pjesë e mirë e nomenklaturës së PD-së nuk zgjidhet më në Kuvend. Për të njëjtën arsye, nuk flet për reduktimin e numrit të deputetëve në Parlament.
Sistemi zgjedhor nuk mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme nga PS-ja, sepse ndryshimi i tij nuk është rekomandim i raportit të OSBE/ODIHR-it.
Sistemi zgjedhor përcaktohet nga partitë politike shqiptare dhe për zëvendësimin e sistemit aktual duhet të braktiset bojkoti dhe të gjendet konsensusi me PS-në në komision.
Rrjedhimisht, nëse PD-ja nuk shkon në Komisionin e Reformës Zgjedhore deri më 30 nëntor, harrojini listat e hapura e reformat e tjera kushtetuese që përfliten dhe të dyja palët dalin të kënaqura nga reforma zgjedhore.
Pas kësaj dhe vetëm me presion të fortë ndërkombëtar, mund të kemi pas zgjedhjeve vendore një komision të ri të reformës zgjedhore, i cili do të përfundojë me pazarin e radhës, 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2029.
Kush bojkoton, nuk do ndryshim.




Komente
Komento