Një fotografi e vitit 1900 mund të tregojë më shumë se një faqe historie. Rrugë që sot janë mbuluar nga pylli, shkolla që dikur mbanin gjallë gjuhën dhe traditat arumune, si dhe portrete që kërkojnë ende të identifikohen. Këto ishin disa nga dëshmitë që u sollën në Akademinë e Shkencave, ditën e fundit të konferencës ndërkombëtare “Vllehtë e Shqipërisë në kontekstin ballkanik”. Në fokus ishte edhe gjuha arumune dhe sfidat për ruajtgjen dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.

Një nga çështjet e trajtuara ishte marrëdhënia mes gjuhës rumune, dialektit arumun dhe shqipes, si dhe sfidat që shoqërojnë standardizimin e gjuhës arumune.

 “Gjuha rumune dhe dialekti arumun kanë veçori të caktuara gjuhësore, por edhe marrëdhënie historike me gjuhët e rajonit. Në procesin e standardizimit duhet të gjejmë zgjidhje për paraqitjen e tingujve përm es shkronjave dhe shenjave diakritike, duke marrë parasysh edhe veçoritë e alfabetit shqip. Për këtë po bashkëpunojmë me studiues dhe institucione akademike rumune e shqiptare.”, tha studiuesja rumune Manuela Nevaci.

Studiuesit sollën edhe përvojat e bashkëpunimit akademik dhe botimeve në këtë gjuhë. Një nga rezultatet e këtij bashkëpunimi është edhe libri, ose manuali i gjuhës arumune i hartuar për studentët e nivelit C1. Ndërsa gjurmët e lidhjeve kulturore e arsimore mes dy vendeve shfaqen edhe në historinë e shkollave rumune në Shqipëri.

“Në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar arumunëve të Shqipërisë kemi të ftuar nga shumë shtete, përfshirë edhe Rumania, gjithashtu Greqia, atje ku prezenca rumune është masive. Minoriteti arumun në Shqipëri ka kontribuar që në lashtësi deri në kohët e sotme në realizimin e konsolidimin e shtetit shqiptar evropian. Tema ime lidhet me një historik të shkollave rumune në Ballkan të mbështetur nga shteti rumun dhe përfshirë edhe në territorin e Shqipërisë, që në periudhën osmane dhe më pas, deri në vitin 1944, kur çdo shkollë rumune jo vetëm në territorin e Shqipërisë por edhe në Ballkan mbyllet me vendosjen e sistemit komunist. Bëhet fjalë për shkolla rumune në Korçë, në Plasë, në Dishnicë, në Grabovë, Lëngë, Nqe, Shqipskë, gjithashtu në Frashër edhe në shumë vendbanime të tjera që patjetër kanë ndihmuar edhe vetë minoritetin arumun, që të ruajë së pari identitetin e tyre gjuhësor, por dhe kulturor, traditat e tyre, por edhe të krijojë një elitë intelektuale.”, tha studiuesja Daniela Carmen Stoica.

Antropologu Cătălin D. Constantin riktheu përmes fotografive të vëllezërve Manaki jetën e fshatrave vllehe të Ballkanit rreth një shekull më parë, duke krahasuar vendbanimet vllahe të dikurshme me pamjet e tyre sot.

“Këto kërkime janë zhvilluar duke ndjekur gjurmët e dy vëllezërve të famshëm arumunë, kineastë dhe fotografë, vëllezërve Manaki, të cilët kanë realizuar një numër të madh fotografish edhe në Shqipëri. Ndër fotografitë e tyre përfshihen edhe pamje të marshimit të ushtrisë së Perandorisë Osmane në Shkodër, si dhe fotografi që dokumentojnë historinë dhe jetën e vendeve të ndryshme të Evropës dhe Ballkanit. Ata kanë fotografuar personalitete të rëndësishme historike, si mbretin e Rumanisë, mbretin e Greqisë, mbretin e Jugosllavisë dhe Patriarkun e Kostandinopojës. Megjithatë, ndër fotografitë më të rëndësishme dhe më interesante janë ato që pasqyrojnë jetën e përditshme të njerëzve, traditat, zakonet dhe realitetin shoqëror të kohës. Në arkivin fotografik që kemi gjetur për Shqipërinë, ka disa fotografi vërtet të veçanta. Ato janë realizuar në Shqipërinë e Jugut, veçanërisht në Korçë, si dhe në zona të tjera me rëndësi historike për komunitetin arumun, përfshirë Voskopojën. Ndër fotografitë më interesante është edhe ajo e një të riu, Kemal Ataturkut, në një periudhë kur ai ende nuk ishte një figurë e njohur historike.”, tha antropologu Cătălin D. Constantin.

Një fotografi nga Korça solli edhe një kuriozitet historik: personazhi i saj, që mund të ngatërrohej me Kemal Ataturkun, u identifikua si Ismail Enveri.  Ndërsa pamjet e Meçovës, Krushevës, Pindit dhe Zagorisë dëshmuan se si koha ka ndryshuar edhe vendbanimet e dikurshme.

Në konferencë u trajtua gjithashtu arkitektura kishtare e Voskopojës, dëshmitë arkeologjike nga kisha e Shën Pjetrit dhe trashëgimia muzikore e vllehve të Korçës, ndërsa u vlerësua kontributi i komunitetit vllah në historinë dhe bashkëjetesën shqiptare e ballkanike.