
Gianni Infantino përballet me një tjetër çështje të ndërlikuar, këtë herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas gazetës britanike “The Telegraph”, presidenti i FIFA-s mund të thirret në janar nga Kongresi amerikan për të dhënë shpjegime mbi marrëdhëniet e tij me presidentin Donald Trump.
Në rast të një kërkese zyrtare, Infantino pritet të dorëzojë edhe dokumentacionin që lidhet me kontaktet dhe marrëdhëniet e tij me SHBA-në gjatë viteve të fundit, veçanërisht ato me kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Çështja merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se Infantino është në fushatë për rizgjedhjen në krye të FIFA-s. Zgjedhjet janë planifikuar të mbahen më 18 mars 2027, në Rabat të Marokut.
Sipas “The Telegraph”, Komisioni i Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve po heton që prej muajit korrik marrëdhëniet mes Infantinos dhe Trump. Një prej çështjeve që po shqyrtohet lidhet me një punonjëse shtëpiake emigrante të angazhuar në rezidencën e presidentit të FIFA-s në Miami.
Raportimi pretendon se Infantino i është drejtuar Carlos Cordeiro-s, një prej kontakteve të tij pranë administratës amerikane, me kërkesën për të lehtësuar pajisjen me leje pune të gruas së punësuar në banesën e tij luksoze.
Marrëdhënia mes Infantinos dhe Trump ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes publike. Nga çmimi “FIFA Peace Prize”, që iu dha presidentit amerikan, deri te rasti i sulmuesit Balogun, pezullimi i të cilit u hoq për ndeshjen kundër Belgjikës pas një telefonate mes Trump dhe Infantinos.
