Fustani i famshëm i zi i Princeshë Dianës, i njohur në mbarë botën si “Revenge Dress” (Fustani i Hakmarrjes), është rikthyer në vëmendjen e publikut. Veshja ikonike po ekspozohet në ambientet e shtëpisë së ankandeve Sotheby’s në Gjenevë, përpara se të dalë në ankand për herë të parë pas gati 30 vitesh.

Fustani prej mëndafshi të zi, i krijuar nga stilistja Christina Stambolian, u vesh nga Diana më 29 qershor 1994, në të njëjtën mbrëmje kur Princi Charles pranoi publikisht se kishte qenë i pabesë gjatë martesës së tyre.

Zgjedhja e Dianës për këtë veshje elegante dhe provokuese u bë një nga momentet më të komentuara në historinë e familjes mbretërore britanike. Pamja e saj atë mbrëmje u interpretua gjerësisht si një mesazh vetëbesimi dhe pavarësie, duke i dhënë fustanit emrin me të cilin njihet edhe sot.

Në vitin 1997, Princesha Diana e shiti fustanin në një ankand bamirësie. Që prej asaj kohe, ai ka qëndruar në duar private dhe nuk është nxjerrë më në shitje.

Tashmë, veshja historike pritet të dalë në ankand në Nju Jork më 9 dhjetor, me një vlerë të parashikuar shitjeje deri në 300 mijë dollarë, ose rreth 270 mijë euro.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb