Dënohet me 7 vite burg ish-shefi i forcave Operacionale, Oltion Bistri

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.11.2026, 13:29

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ashpërsuar dënimin ndaj ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri, duke e dënuar përfundimisht me 7 vite e 4 muaj burg për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Sipas vendimit të Apelit të GJKKO-së, Bistri është shpallur fajtor dhe është dënuar me 5 vite burg për korrupsion dhe 7 vite për pastrim të produkteve të veprës penale. Pas bashkimit të dënimeve, masa u caktua në 11 vite burg, por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi përfundimtar u reduktua në 7 vite e 4 muaj.

Në të njëjtën çështje, Apeli ka dhënë vendime edhe për të pandehurit e tjerë. Behar Brajoviç është dënuar me 8 vite e 8 muaj burg, Asmer Bilali me 5 vite e 8 muaj, ndërsa Edmond Preka me 7 vite burg, të gjitha pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.

Gjithashtu, gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurive të sekuestruara gjatë hetimeve.

Oltion Bistri u arrestua në kuadër të një operacioni të gjerë, ku në pranga përfunduan edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-zyrtari i policisë Ardit Hasanbega dhe prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita. Në të njëjtin operacion u arrestuan edhe 13 persona të tjerë.

Hetimi u zhvillua në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe autoritetet gjyqësore e ligjzbatuese të Francës, Belgjikës dhe Holandës.

Dosja përfshin akuza të rënda ndaj anëtarëve të grupit të dyshuar kriminal, mes tyre vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikësh dhe pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, zyrtarët e përfshirë në çështje akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe ekspertime të rreme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit