
Marc Bernal është një nga talentet më premtues të akademisë së Barcelonës. Mesfushori vetëm 19-vjeçar ka fituar dy tituj të La Ligës, ka debutuar me kombëtaren e Spanjës dhe tashmë ka arritur të bëjë diçka të veçantë edhe jashtë fushës së futbollit: t’u sigurojë prindërve mundësinë të dalin në pension.
Në një intervistë për emisionin “El Partidazo”, nga grumbullimi me përfaqësuesen U-21 të Spanjës, Bernal foli për një prej arritjeve që e bën më shumë krenar. Pas rinovimit të kontratës me Barcelonën, klubi i besoi talentit të ri edhe në periudhën kur ai po rikuperohej nga një dëmtim i rëndë në gju.
“Një nga gjërat më të rëndësishme që kam bërë është fakti që prindërit e mi kanë dalë në pension. Kur panë se gjërat po shkonin mirë, filluan gradualisht të ulnin ritmin e punës. Për një fëmijë është një ndjesi unike”, rrëfeu mesfushori.
Nëna e tij, 50 vjeçe, punonte në sektorin e informatikës, ndërsa babai 57-vjeçar ishte punonjës banke. Bernal theksoi se tashmë të dy e kanë ndërprerë punën.
Karriera e talentit katalanas nuk ka qenë pa pengesa. Dëmtimi në gju i kushtoi pothuajse një vit larg fushave, por ai u rikthye dhe numëron rreth 50 ndeshje me Barcelonën, si dhe një paraqitje me kombëtaren e parë të Spanjës. Klubi katalanas i ka vendosur një klauzolë largimi prej 500 milionë eurosh, duke treguar besimin e madh te e ardhmja e tij.
