Komisioni Evropian ka hapur negociatat me Shqipërinë dhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor për t’i përfshirë në zonën evropiane të roaming. Nisma synon të heqë tarifat shtesë për përdorimin e celularit gjatë udhëtimeve mes rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Nëse marrëveshja hyn në fuqi, qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në BE do të mund të telefonojnë, të dërgojnë SMS dhe të përdorin internetin në celular sipas kushteve të paketës që kanë në Shqipëri, pa paguar tarifa shtesë roaming.
I njëjti rregull do të zbatohej edhe për udhëtarët nga BE-ja që vizitojnë Shqipërinë. Sistemi njihet si “Roam Like at Home” dhe zbatohet automatikisht kur telefoni lidhet me një rrjet celular në një vend që mbulohet nga marrëveshja.
Zona evropiane e roaming-ut përfshin 27 vendet e Bashkimit Evropian, si edhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë, Ukrainën dhe Moldavinë.
Për të zgjeruar këtë zonë, fillimisht duhet të përfundojnë negociatat dypalëshe dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor të përshtatin rregullat e tyre me ato të BE-së. Më pas, Komisioni Evropian do t’i kërkojë Këshillit të BE-së të miratojë zgjerimin.
Komisioni Evropian ende nuk ka dhënë një datë se kur qytetarët shqiptarë mund të përfitojnë nga heqja e tarifave shtesë. Deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes, gjatë udhëtimeve vazhdojnë të zbatohen kushtet aktuale të operatorëve celularë.