Partia Demokratike kërkon që në projektbuxhetin e vitit 2027 për sektorin energjetik, të përfshihen edhe 5 amendamente, që sipas deputetit Kliti Hoti japin garanci për sigurinë e sektorit, modernizojnë rrjetin dhe mbrojnë familjet në nevojë.

“Amendamenti i parë – Siguria energjetike. Program për diversifikimin e burimeve dhe uljen e ekspozimit ndaj importeve.

Amendamenti i dytë – Modernizimi i rrjetit. Investime në transmetim, shpërndarje dhe digjitalizim, të lidhura me uljen e humbjeve.

Amendamenti i tretë – Eficienca energjetike. Fond për eficiencën e ndërtesave publike dhe banesave të familjeve në nevojë.

Amendamenti i katërt – Konkurrenca dhe integrimi i tregut. Financim për funksionimin konkurrues të tregut dhe integrimin me tregjet europiane.

Amendamenti i pestë – Transparenca financiare. Raportim periodik në Kuvend për investimet, huamarrjen, garancitë dhe rreziqet fiskale të ndërmarrjeve energjetike.

Këto amendamente duhet të shoqërohen me burime financimi, afate dhe tregues performance.

Ne kërkojmë një buxhet që financon reformat, jo vetëm shpenzimet; një treg energjetik që krijon konkurrencë, jo vetëm ndryshim tarifash; dhe një politikë energjetike që mbron interesin publik, jo vetëm justifikon investimet”, tha deputeti Kliti Hoti.