Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur konfiskimin e pasurive të ish drejtuesit të Operacionales, Oltion Bistrit, mes të cilave pesë njësi pasurore dhe një shumë prej 1 milion e 300 eurosh, të depozituara në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Vendimi është marrë sot, më 11 nëntor 2026, pas shqyrtimit të ankimit të SPAK-ut dhe të pandehurve Oltion Bistri, Edmond Preka, Astmer Bilali, Behar Brajoviq dhe Xhevahir Lita, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Pasuritë që do të konfiskohen përfshijnë dy apartamente me sipërfaqe nga 400 metra katrorë secili, dy njësi dyqanesh me sipërfaqe përkatësisht 125 dhe 95 metra katrorë, si dhe një apartament tjetër me sipërfaqe 110.6 metra katrorë. Këto pasuri ishin sekuestruar me vendim të prokurorëve të posaçëm më 23 gusht 2023.
Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e pesë shumave monetare, përkatësisht 230 mijë euro, 200 mijë euro, 50.300 euro, 320 mijë euro dhe 200 mijë euro, të cilat në total arrijnë në 1 milion e 300 euro.
Në të njëjtin vendim, Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë për të pandehurit Edmond Preka, Astmer Bilali, Behar Brajoviq dhe Xhevahir Lita.
Për Oltion Bistrin, gjykata la në fuqi dënimin për zbulimin e akteve ose të të dhënave sekrete, ndërsa ndryshoi vendimin për akuzat e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Në Shkallën e Parë, Bistri ishte dënuar me vetëm 2 vite burgim për nxjerrjen e të dhënave sekrete dhe ishte liruar nga burgu në nëntor të vitit 2025. Apeli e dënoi tashmë edhe për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, duke caktuar një dënim përfundimtar prej 7 vitesh e 4 muajsh burgim. Vendimi i sotëm e rikthen atë në qeli.
Shpenzimet gjyqësore të procesit në Apel iu ngarkuan në mënyrë solidare të pandehurve.a.b



