
2.5 miliardë lekë do i kushtojnë buxhetit zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Sipas kreut të KQZ-së Celibashi, në shkallë vendi do jenë 450 qendra votimi ku do zbatohet votimi dhe numërimi elektronik.
Megjithatë nuk janë përcaktuar ende bashkitë dhe njësitë administrative ku do zbatohet ai.
“Viti 2027 është vit zgjedhor. Një pjesë e elementeve buxhetore që duhet të adresoheshin janë përfshirë në buxhetin për zgjedhjet. Rëndësia e procesit është kuptuar drejt nga Ministria e Financave dhe kemi gjetur mirëkuptimin për kërkesat tona. Vlera në dispozicion, 2,5 miliardë lekë, është brenda limitit që ne kemi menduar se do të arrijë financimi për zgjedhjet. Është një çështje për të cilën i takon opozitës dhe mazhorancës të ulen dhe të gjejnë konsensus. Nëse nuk ka konsensus, nuk kemi pse të angazhojmë buxhetin e shtetit për ta shtrirë më tej. Duhet konsensus politik, por çdo ditë që kalon do ta bëjë të pamundur nga pikëpamja teknike.” – tha ndër të tjera Celibashi.