Vendosni fjalën kyçe....

Vendimet e falsifikuara gjyqësore, India bllokon qindra faqe interneti, nisin hetimet


Qeveria e Indisë u ka kërkuar ofruesve të shërbimit të internetit të bllokojnë 129 faqe të paligjshme bastesh gjatë këtij viti, duke u bazuar në dy vendime të gjykatave të larta shtetërore, të cilat Reuters ka zbuluar se ishin të falsifikuara. Zbulimet kanë çuar në nisjen e të paktën një hetimi policor.

Ky rast përbën një tjetër tregues se vendimet e falsifikuara po arrijnë të kalojnë përmes mekanizmit zyrtar të Indisë për heqjen e përmbajtjeve nga interneti, i konsideruar si një nga më të rreptët në botë. Kjo situatë mund të ndikojë në praninë online të çdo organizate që ushtron aktivitet në këtë vend.

Vendimet gjyqësore të krijuara me inteligjencë artificiale kanë shkaktuar shqetësim te gjyqtarët në mbarë botën. Në korrik, Gjykata Supreme e Indisë rrëzoi vendimet e një tribunali që mbështeteshin në referenca gjyqësore që nuk ekzistonin. Ndërkohë, një gjyqtar në SHBA skualifikoi së fundmi disa avokatë për përdorimin e citimeve ligjore të fabrikuara.

Departamenti i Telekomunikacionit i Indisë nxori dy urdhra për bllokimin e faqeve të internetit, përkatësisht më 21 korrik dhe 2 shtator, të cilët janë publikuar në faqen e tij zyrtare si pjesë e njoftimeve rutinë.

Të dyja udhëzimet shoqëroheshin me kopje të dërguara përmes postës elektronike të vendimeve të pretenduara gjyqësore nga Gjykata e Lartë e shtetit perëndimor të Rajasthanit dhe Gjykata e Lartë e shtetit verior të Uttar Pradeshit, ku kërkohej heqja e dhjetëra faqeve të internetit.

Një verifikim i Reuters zbuloi se asnjëri prej vendimeve nuk figuron në regjistrat online të gjykatave përkatëse. Pas pyetjeve të agjencisë së lajmeve, sekretari i Gjykatës së Lartë të Rajasthanit deklaroi në një përgjigje me email se vendimi që mbante emrin e gjykatës “duket se është i falsifikuar” dhe se nuk ekzistonte në serverin e saj. Gjykata nuk dha hollësi të tjera.

Në Uttar Pradesh, Gjykata e Lartë e Allahabadit konstatoi se vendimi ishte fals dhe, më 6 nëntor, paraqiti një kallëzim në polici pas zbulimeve të Reuters. Dokumentet e regjistrimit të çështjes policore tregojnë se ka nisur një hetim ndaj personave të paidentifikuar, nën dyshimet për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.

“Është i falsifikuar. Nuk është një vendim i vërtetë i Gjykatës së Lartë të Allahabadit”, deklaroi për Reuters, përmes telefonit të martën, Ghanshyam Yadav, një zyrtar i lartë i njësisë shtetërore për krimet kibernetike. Ai tha se deri më tani nuk është kryer asnjë arrestim.

Të dyja vendimet prekën gjithsej 129 faqe interneti që ofronin shërbime bastesh, të cilat janë të paligjshme sipas legjislacionit indian. Nuk është e qartë se si u krijuan vendimet e falsifikuara dhe nëse është përdorur inteligjenca artificiale.

Departamenti i Telekomunikacionit, i cili nxori dy urdhrat për bllokimin e faqeve dhe ua përcolli vendimet ofruesve të internetit, nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters.

Agjencia nuk arriti të përcaktonte se kush i kishte krijuar vendimet e falsifikuara, të cilat mbanin vula blu gjyqësore me stemën kombëtare të Indisë, të ngjashme me ato të dokumenteve autentike. Deri të mërkurën, të dyja dokumentet vijonin të ishin të publikuara në faqen e ministrisë.

Qeveria e kryeministrit Narendra Modi dhe policia janë përballur shpesh me kritika për reagimin e tepruar ndaj zërave kundërshtues, përmes urdhrave për heqjen e postimeve ose bllokimin e faqeve të internetit. Megjithatë, qeveria këmbëngul se urdhra të tillë jepen vetëm në interes të publikut dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Platforma X e Elon Musk, e cila në të kaluarën ka kundërshtuar zgjerimin e kompetencave të qeverisë indiane për bllokimin e përmbajtjeve online, u përfshi edhe vetë javën e kaluar në një çështje që lidhej me urdhra të falsifikuara.

Platforma i deklaroi një gjykate indiane se udhëzimet policore, të cilat ua kishte përcjellë dy organizatave që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe që i paralajmëronin për heqjen e llogarive të tyre, rezultuan të falsifikuara.

Në rastin e zbuluar nga Reuters, Departamenti i Telekomunikacionit mori një email në orën 20:59 të dielën, më 19 korrik, që përmbante një dokument që dukej si vendim i Gjykatës së Rajasthanit. Dokumenti ishte nënshkruar nga “Aryan Chaudhary”, i identifikuar si avokat i regjistruar pranë gjykatës.

Një email i dërguar nga Reuters në adresën e përdorur nga Chaudhary u kthye me njoftimin “Marrësi nuk u gjet”.

Vendimi gjyqësor, tashmë i cilësuar si i falsifikuar, përmbante një udhëzim që kërkonte zbatimin e urdhrave brenda 24 orëve dhe përfundonte me formulimin se ishte lëshuar “nën firmën time dhe vulën e sekretarit të kësaj Gjykate të Nderuar”.

Dokumenti mbështetej në një dispozitë të rëndësishme të legjislacionit indian për teknologjinë e informacionit, e cila lejon bllokimin e përmbajtjeve në interes të sigurisë kombëtare.

Dy ditë më vonë, qeveria u kërkoi ofruesve të shërbimit të internetit të bllokonin 34 faqe bastesh, “siç përcaktohet në vendimin gjyqësor dhe në listën bashkëlidhur”, sipas dokumentit zyrtar të publikuar nga autoritetet.

“Asnjë vendim i tillë nga gjyqtarja”

Vendimi tjetër i falsifikuar, i lëshuar në emër të Gjykatës së Lartë të Allahabadit dhe që tashmë është objekt hetimi pas pyetjeve të Reuters, përmbante logon dhe vulën e gjykatës, si dhe një kod QR, i cili zakonisht u mundëson qytetarëve të verifikojnë autenticitetin e dokumentit.

Megjithatë, kodi QR i bashkëngjitur të çonte në një faqe interneti të rastësishme, ku shfaqej vetëm një numër çështjeje: “Writ — A 30480/2026”.

I njëjti numër ishte përdorur nga një person që prezantohej si avokati Kartikey Pandey, i cili më 22 gusht u kishte dërguar zyrtarëve indianë vendimin e falsifikuar të Gjykatës së Allahabadit.

Reuters nuk mori asnjë përgjigje ndaj një kërkese të dërguar në adresën elektronike të Pandey, e cila ishte përmendur në korrespondencë.

Ky email shkaktoi disa shkëmbime të njëpasnjëshme mes zyrtarëve indianë, përfshirë një rast kur u kërkua një “raport mbi masat e marra”, sipas korrespondencës së publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Telekomunikacionit.

Më pas, më 2 shtator, një zyrtar indian u kërkoi ofruesve të shërbimit të internetit të “marrin menjëherë masat e nevojshme për bllokimin e aksesit” në 95 faqe bastesh.

Mes shqetësimeve në rritje për vendimet e falsifikuara, gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Indisë deklaruan vitin e kaluar se falsifikimi i dokumenteve që përmbajnë “nënshkrime të falsifikuara të gjyqtarëve cenon themelet e besimit të publikut” dhe se “vepra të tilla të rënda kriminale nuk mund të trajtohen si shkelje të zakonshme apo rutinë”.

Vendimi i falsifikuar i Gjykatës së Lartë të Allahabadit, i datës 14 gusht, ishte nënshkruar në emër të “gjyqtares Garima Prashad”.

Dokumentet e regjistrimit të çështjes policore, të shqyrtuara nga Reuters, bëjnë të ditur se zyra e gjyqtares Prashad ka konfirmuar se “nuk është dhënë asnjë vendim i tillë nga ana e saj”.