Garda e Republikës do të ketë një buxhet prej 2.84 miliardë lekësh për vitin 2027, ose 2.6% më shumë se një vit më parë. Shifrat u prezantuan nga drejtori Simon Zereci në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku nuk munguan as shqetësimet e opozitës për trajtimin financiar të gardistëve.

Nga buxheti total, 2.73 miliardë lekë janë parashikuar për shpenzime korrente, ndërsa 110 milionë lekë do të përdoren për investime.

Për rinovimin e mjeteve të transportit janë planifikuar 55.5 milionë lekë, për sistemet e sigurisë dhe kamerat e vëzhgimit 18.06 milionë lekë, ndërsa 32 milionë lekë do të shkojnë për rikonstruksionin e objektit të Sektorit të Ruajtjes së Rezidencave në Vlorë.

Zereci theksoi se përmbushja e misionit të Gardës kërkon mbështetje të vazhdueshme në burime njerëzore, logjistikë dhe teknologji, duke e cilësuar këtë si një kusht për garantimin e sigurisë dhe rritjen e efektivitetit të institucionit.

Gjatë diskutimeve, deputeti i opozitës Erald Kapri kërkoi trajtim më dinjitoz për gardistët, duke theksuar se ata detyrohen të lënë punën pasi janë në kufijtë e mbijetesës.

Largimet u konfirmuan edhe nga drejtori Zereci, i cili bëri të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 28 dorëheqje.

Ndërkohë, Agjencisë së Mbikëqyrjes së Burgjeve, e cila aktualisht ka 70 punonjës, do t'i shtohen edhe 61 të tjerë në organikë.