Vendosni fjalën kyçe....

Greva e parë e përgjithshme në Spanjë në 14 vite mes krizës së strehimit


Punonjësit në Spanjë zhvilluan të mërkurën një grevë të përgjithshme, duke përballuar edhe motin e keq për të ngritur pika proteste në një mobilizim masiv kundër krizës së përballueshmërisë së banesave në vend, më pak se tre javë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kjo është greva e parë e përgjithshme që prej vitit 2012, kur punonjësit ndërprenë punën në shenjë kundërshtimi ndaj masave shtrënguese gjatë krizës së borxhit në eurozonë. Greva mbështetet nga dy sindikatat më të mëdha të Spanjës, UGT dhe CCOO, të cilat përfaqësojnë më shumë se një milion punonjës, si dhe nga shoqatat e qiramarrësve, të zemëruara për rritjen e qirave dhe dëbimet nga banesat, shkruan Reuters.

Kryeministri Pedro Sanchez shpreson të shfrytëzojë pakënaqësinë e votuesve për çështjen e strehimit në zgjedhjet e 29 nëntorit, për të zhvendosur vëmendjen politike nga çështjet e korrupsionit që përfshijnë rrethin e tij të ngushtë dhe nga aksidenti tragjik hekurudhor i muajit të kaluar. Megjithatë, deri më tani, Partia e tij Socialiste vijon të jetë pas kundërshtarëve në sondazhet e opinionit publik.

Sindikatat e cilësuan grevën si një sukses, megjithëse pjesëmarrja ishte e ndryshme në rajone të ndryshme të Spanjës. Mbështetja më e madhe u regjistrua në zonat bregdetare, ku presioni i krizës së strehimit është veçanërisht i lartë.

Dyqanet mbyllin qepenat

Në Gran Via të Madridit, një nga rrugët kryesore tregtare të kryeqytetit, dyqane si Primark, H&M dhe Pull & Bear mbyllën qepenat, ndërsa në zonë kishte një prani të shtuar të policisë së ndërhyrjes së shpejtë. Protestuesit brohorisnin: “Do ta mbyllim dyqanin Mango”.

Edhe shumë dyqane në Barcelonë qëndruan të mbyllura dhe të mbuluara me dërrasa, në pritje të trazirave të mundshme.

Sipas bankës qendrore, Spanjës i mungojnë rreth 750 mijë banesa, ndërsa ky deficit pritet të kalojë një milion deri në vitin 2028.

Me gjithnjë e më pak njerëz që kanë mundësi të blejnë një banesë, kërkesa për qira është rritur ndjeshëm, duke ushtruar presion mbi këtë treg. Çmimi mesatar i qirasë, prej 1.176 eurosh, është i barabartë me rreth 98,7% të pagës mesatare mujore të një të riu në Spanjë, sipas Këshillit Rinor të Spanjës.

“Jam 36 vjeç dhe ende nuk mund të jetoj i pavarur, në banesën time”, tha Jesus Gonzalez, banor i Madridit, i cili punon në departamentin e teknologjisë së informacionit të një spitali dhe mbështet grevën.

“Qiratë vazhdojnë të rriten, çmimet e banesave vazhdojnë të rriten dhe situata është thjesht e pamundur”, u shpreh ai.

Pjesëmarrja më e lartë në porte dhe fabrikat e automobilave

Angela de Miguel, nënkryetare e organizatës kryesore të biznesit në Spanjë, CEOE, deklaroi se greva është kundërproduktive, pasi kriza e strehimit prek edhe bizneset e vogla, të cilat përballen me vështirësi në rekrutimin e punonjësve për shkak të mungesës së banesave.

Në një intervistë për televizionin shtetëror TVE, ajo tha se zgjidhja është ndërtimi i më shumë banesave dhe ulja e taksave në sektorin e ndërtimit dhe në procesin e blerjes së një shtëpie. Sipas saj, këto kosto kanë ndikuar në rritjen me 40% të çmimit përfundimtar të blerjes së një banese të re gjatë dekadës së fundit.

Planet për marshime masive proteste gjatë pasdites u vunë në rrezik nga dy stuhi, të emërtuara Charles dhe Bruna, të cilat e detyruan agjencinë meteorologjike AEMET të lëshonte paralajmërime për 14 rajone, për shkak të erërave të forta, detit të trazuar dhe reshjeve intensive.

Sipas sindikatave UGT dhe CCOO, pjesëmarrja në orët e para të grevës arriti në 90% në porte dhe në sektorin e automobilave. Ndërprerje të plota të punës u raportuan në fabrika, përfshirë atë të Volkswagen në Navarrë dhe fabrikën SEAT në Barcelonë.

Sindikatat iu referuan gjithashtu rënies me 10% të kërkesës për energji elektrike si tregues të ndërprerjes së aktivitetit në industritë me konsum të lartë energjie. Sipas tyre, një pjesë e madhe e sektorëve petrokimikë, të përpunimit të çelikut, përpunimit ushqimor dhe transportit kishin pezulluar aktivitetin.

Nga ana tjetër, CEOE deklaroi se rënia e kërkesës për energji elektrike ishte më e ulët se ajo prej 14% e regjistruar gjatë grevës së fundit të përgjithshme.

Sipas Miguel Cardosos, kryeekonomist në BBVA Research, ndikimi i grevës pritet të jetë më i kufizuar krahasuar me vitet e mëparshme, për shkak se gjithnjë e më shumë njerëz mund të punojnë në distancë dhe pesha e sektorit të shërbimeve në ekonominë spanjolle është rritur.

Ai vlerësoi se greva mund të ulë me 0,1% deri në 0,2% Prodhimin e Brendshëm Bruto vjetor të Spanjës.

Metroja e Barcelonës njoftoi se trenat nuk do të qarkullonin jashtë orareve të pikut të lëvizjes së udhëtarëve. Ndërkohë, metroja e Madridit njoftoi se kishte reduktuar me 50% shërbimin gjatë pjesës më të madhe të ditës, por do ta rriste qarkullimin në 80% të kapacitetit normal gjatë orareve të pikut.

Metroja e Madridit bëri të ditur se numri i udhëtarëve gjatë orareve të pikut ishte 42% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të javës së kaluar.

Sindikalistja CCOO njoftoi në platformën X se policia kishte përdorur gaz irritues kundër protestuesve që bllokonin hyrjet në tregun me shumicë Mercamadrid në Madrid, ndërsa një prej tyre ishte arrestuar. Sipas sindikatës, 13 persona kishin pasur nevojë për ndihmë mjekësore.

Një zëdhënës i policisë konfirmoi arrestimin, por nuk konfirmoi përdorimin e gazit irritues. Megjithatë, ai tha se një mjet i tillë ishte përdorur për të shpërndarë një tjetër grup protestuesish në lagjen Carabanchel.

Sindikatat deklaruan se do të paraqesin një kallëzim penal kundër asaj që e cilësuan si reagim “joproporcional” të policisë gjatë një operacioni ku u përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, duke lënë 20 protestues të plagosur.

Greva vjen pas disa javësh protestash të shkaktuara nga dëbimi dhe vdekja e mëvonshme e një gruaje 87-vjeçare në Madrid.

Këto protesta, së bashku me rrëzimin nga parlamenti muajin e kaluar të dekreteve qeveritare që synonin frenimin e dëbimeve dhe kufizimin e rritjes së qirave, e shtynë kryeministrin Sanchez të shpallte zgjedhje të parakohshme.