
Me afrimin e sezonit të dimrit dhe shtimin e rrezikut nga reshjet intensive, në Lezhë është zhvilluar një mbledhje e Komisionit të Mbrojtjes Civile, ku në fokus ishte marrja e masave për parandalimin dhe përballimin e situatave emergjente. Në takimin e thirrur nga Prefektura e Lezhës morën pjesë përfaqësues të tre bashkive të qarkut, si dhe institucione të angazhuara në menaxhimin e emergjencave. Diskutimet u përqendruan te rreziku i përmbytjeve, reshjet e dendura të shiut dhe mundësia e reshjeve të dëborës gjatë muajve të ftohtë.
Prefekti i Lezhës, Taulant Malshi, u bëri thirrje institucioneve dhe strukturave përgjegjëse të jenë në gatishmëri të plotë, duke nënvizuar se qarku i Lezhës mbetet një ndër zonat më të rrezikuara nga përmbytjet. Ai kërkoi që ndërhyrjet parandaluese të realizohen në kohë, për të shmangur pasojat që mund të sjellin kushtet e vështira atmosferike.
Një ndër çështjet kryesore të trajtuara ishte pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve kulluese. Përfaqësuesi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Artur Topi, theksoi përgjegjësinë e bashkive për të garantuar funksionimin e rrjeteve kulluese, si dhe për të siguruar mjetet dhe kapacitetet logjistike të nevojshme në rast emergjencash.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e tre bashkive paraqitën masat e ndërmarra deri më tani dhe kapacitetet që disponojnë për t’iu përgjigjur situatave të mundshme gjatë dimrit. Në përfundim të mbledhjes, u kërkua forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimi i strukturave në terren dhe reagimi i shpejtë, me qëllim minimizimin e dëmeve dhe mbrojtjen e banorëve nga rreziku i përmbytjeve.
