Veliaj i kërkon Ballës ngritjen e një komisioni hetimor: I gatshëm të ballafaqohem me Toni Gogun për kërcënimet që më bëri me porosi të Ramës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor në parlament për kërcënimet që sipas tij, i janë bërë nga Kryeministri Edi Rama nëpërmjet ministrit të drejtësisë Toni Gogut.
Në një deklaratë nëpërmjet Facebook, Veliaj pretendon se transferimi i tij nga paraburgimi i Durrësit tek ai i Fierit është bërë si presion që ai të japë dorëheqjen.
“Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë. Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit“, shprehet Veliaj.
Kryebashkiaku i kryeqytetit, shprehet i gatshëm për ballafaqim me ministrin e drejtësisë.
“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje“, tha Veliaj.
Sipas Veliajt, kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin nuk mund t’i kushtëzohet pavarësisht partisë që i përket.
“Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari“, tha Veliaj.
Në fund të postimit të tij, Veliaj kërkon që institucioni më i lartë ligjvënës të marrë për bazë pretendimet e tij.




