Dështon mocioni kundër Hegseth, Trump: Një patriot i madh u shpall i pafajshëm

11/11/2026 15:25

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë bllokuar përpjekjen për shkarkimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i akuzuar për shkelje të Kushtetutës për shkak të nisjes së luftës kundër Iranit pa autorizimin e Kongresit.

Akuzat ndaj Hegseth përfshinin gjithashtu sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe, operacionet ushtarake në Jemen, kapjen e Nicolás Maduros në Venezuelë dhe presionet ndaj senatorit demokrat Mark Kelly.

Me 211 vota pro dhe 204 kundër, Dhoma miratoi dërgimin e tetë akuzave në Komisionin e Drejtësisë, duke pezulluar për momentin procedurën e shkarkimit. I vetmi republikan që votoi përkrah demokratëve ishte Thomas Massie, nismëtari i rezolutës.

Presidenti Donald Trump e përshëndeti rezultatin në rrjetin e tij Truth Social, duke e cilësuar dështimin e nismës si një fitore të madhe. “Përpjekja e demokratëve për të shkarkuar Pete Hegseth dështoi në mënyrë të turpshme. Një patriot i madh amerikan u shpall i pafajshëm”, shkroi Trump, duke vlerësuar operacionet ushtarake në Iran dhe Venezuelë.

Nga ana e tij, shefi i Pentagonit i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato një farsë politike. Hegseth këmbënguli se operacionet ushtarake kanë qenë të ligjshme dhe tha se presidenti Trump ka vepruar për sigurinë e amerikanëve. Megjithatë, çështja mund të rikthehet në janar, kur demokratët pritet të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve pas fitores në zgjedhjet e mesmandatit.

Ndërkohë, humbja zgjedhore ka sjellë ndryshime edhe në drejtimin e republikanëve. Jim Jordan është zgjedhur udhëheqës i pakicës së ardhshme republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, duke zëvendësuar Mike Johnson, ndërsa John Thune është rizgjedhur në krye të republikanëve në Senat.

Top Channel