Buxheti i Gardës shkon në 2.84 miliardë lekë, por 28 punonjës lanë detyrën/ Debatet në komisionin e Mbrojtjes: Trupë elitare, por nuk përballojnë dot jetesën

11/11/2026 15:37

28 punonjës janë larguar nga Garda e Republikës gjatë vitit 2026, kryesisht për t’u punësuar në vende të tjera.

Shifra u bë publike nga drejtori i Gardës, Simon Zereci, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku u diskutua projektbuxheti i institucionit për vitin 2027.

Largimet u bënë pjesë e debatit pas shqetësimit të ngritur nga deputeti i opozitës Erald Kapri për pagat dhe kushtet financiare të gardistëve. Sipas tij, punonjësit e kësaj strukture elitare të sigurisë e kanë të vështirë të përballojnë jetesën në kryeqytet dhe të mbajnë familjet me të ardhurat që marrin.

I pyetur nga Kapri për numrin e dorëheqjeve, drejtori i Gardës deklaroi:

“Për vitin 2026, nga Garda janë larguar 28 punonjës për arsye të punësimit në vende të tjera. Kanë gjetur vende të tjera dhe një pjesë e vogël është për arsye shëndetësore”.

Deputeti i opozitës kërkoi trajtim më dinjitoz financiar për efektivët, duke theksuar se largimi i profesionistëve lidhet me vështirësitë ekonomike.

“E bëra këtë pyetje se kisha informacion dhe bindjen që në radhët e Gardës, që ka shumë profesionistë që konsiderohen si trupa elitare e shërbimit në fushën e sigurisë në Republikën e Shqipërisë, e lënë detyrën se me kapacitetin dhe punën që ofrojnë e kanë të vështirë të mbajnë familjen e tyre, të bëjnë një punë të dytë, se jeta në kryeqytet për ta është pothuajse e pamundur”, deklaroi Kapri.

Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për trajtimin e punonjësve të Gardës, duke theksuar se kjo problematikë vijon të mbetet e pazgjidhur.

“Është tragjike ta mendosh sesi një punonjës Garde, me kualifikimin që ka, me profesionin që ka, të mos marrë mbrapsht nga shteti dhe shoqëria atë që i takon. Flasim për një trupë elitare”, u shpreh deputeti.

Sa i përket financimit të institucionit, drejtuesi i Gardës raportoi se projektbuxheti për vitin 2027 parashikon 2.84 miliardë lekë për Gardën e Republikës, me një rritje prej 2.6% krahasuar me vitin 2026.

Nga kjo shumë, 2.73 miliardë lekë, ose 96.1% e buxhetit, janë parashikuar për shpenzime korente, ku përfshihen pagat, sigurimet shoqërore dhe shpenzime të tjera të funksionimit. Ndërsa 110 milionë lekë, ose 3.9% e buxhetit, do të përdoren për investime.

Për rinovimin e mjeteve të transportit janë parashikuar 55.5 milionë lekë, për integrimin e sistemeve të sigurisë dhe kamerave të vëzhgimit në objektet e rëndësisë së veçantë 18.06 milionë lekë, ndërsa 32 milionë lekë do të shkojnë për rikonstruksionin e objektit të Sektorit të Ruajtjes së Rezidencave në Vlorë. Gjithashtu, 4.44 milionë lekë janë parashikuar për modernizimin e sektorit të ruajtjes me armët e shkatërrimit në masë.

Top Channel