Ka kohë që duket sikur kemi filluar të gjejmë më shumë kënaqësi në urrejtjen ndaj njëri- tjetrit sesa në mirëkuptimin; më shumë emocion në përhapjen e një gënjeshtre sesa në zbulimin e së vërtetës; të japim pretencën pa vërtetuar krimin dhe më shumë kënaqësi në rrënimin e dikujt sesa në ndërtimin e diçkaje.

Dhe kjo ndodh pasi urrejtja është bërë një mënyrë e lehtë për të ndier se ekzistojmë. Nuk kërkon argument, dije apo përgjegjësi. Mjafton të gjesh një armik, t'i veshësh atij të gjitha të këqijat dhe të ndihesh moralisht superior. Urrejtja na jep iluzionin e forcës, sidomos kur brenda vetes ndihesh i pafuqishëm.

Gënjeshtra, ndërkaq, ka gjetur terrenin ideal. Një lajm i rremë shpërndahet më shpejt se një e vërtetë e verifikuar, sepse nuk ka nevojë të kalojë nëpër filtrin e arsyes. Ai duhet të përputhet me paragjykimet tona, të ushqejë zemërimin, të targetojë dikë ose të konfirmojë atë që duam të besojmë. Lajmi i rremë nuk shpërndahet domosdoshmërisht ngaqë besohet, por sepse për disa është e vërteta absolute.

Portalet dhe rrjetet sociale janë kthyer në gjykata publike ku njerëzit dënohen pa gjyq; shpallen hajdutë, të korruptuar e fajtorë pa prova dhe ekzekutohen moralisht me një klikim nga njerëz të frustruar që japin atë që marrin: Urrejtjen!

Pastaj, kur e vërteta del në shesh, as kanë qytetarinë të kërkojnë ndjesë.

Por përse bëhemi kaq lehtësisht marioneta të interesave të të tjerëve?

Sepse është më e lehtë të mendosh me mendjen e dikujt tjetër sesa të ndërtosh një mendim tëndin. Është më komode të jesh pjesë e një turme sesa të mbash përgjegjësi për qëndrimin tënd. Interesat politike, ekonomike, personale apo ideologjike e kanë kuptuar prej kohësh këtë dobësi. Nuk kanë nevojë të na bindin gjithmonë me argumente. Mjafton të na japin një armik, një kauzë të rreme dhe një arsye për të urryer. Dhe reagimi zëvendëson mendimin e shpifja argumentin.

Ndërkohë trimat dhe patriotët e internetit bëjnë pjesën tjetër të punës.

Shpesh pa e kuptuar, (por më së shumti me ndërgjegje) një pjesë prej nesh bëhen ushtarë të betejave që nuk janë të tyret, mbrojnë njerëz që nuk do t’i mbronin kurrë dhe sulmojnë njerëz që nuk u kanë bërë asgjë. Sakrifikojnë miqësitë, marrëdhëniet dhe dinjitetin për interesa që as nuk i njohin plotësisht. Qofshin këto muzeume, projekte zhvillimi, viroza të stinës, apo ku e di unë se çfarë...

Por dikush fiton nga urrejtja e turmave dhe e trimave të rrjeteve sociale dhe nga përçarja. Dikush ndërton pushtet mbi paaftësinë për të dalluar faktin nga manipulimi.

Dhe, njerëzit pas tastierës mendojnë se po luftojnë kundër korrupsionit e padrejtësive, ndërkohë që punojnë për interesat e dikujt tjetër, i cili nënqesh nën mustaqe.

Aktualisht nuk kemi shumë njerëz të këqij, por gjithnjë e më pak njerëz që ndihen përgjegjës për atë që thonë, besojnë dhe përhapin.

Nuk është e nevojshme të duam njëri-tjetrin. As të kemi të njëjtat bindje, interesa apo pikëpamje. Por duhet të ruajmë aftësinë për të mos urryer verbërisht, për të mos gënjyer me vetëdije dhe për të mos u shitur si ndërgjegje të lira, ndërkohë që jemi vetëm zëra të huazuar.

Shoqëria nuk shkatërrohet vetëm kur nuk ka lirinë e të menduarit, por edhe kur njerëzit heqin dorë vetë prej saj.

Fatkeqësisht kjo është fitorja më e madhe e manipuluesve. Nuk kanë më nevojë të manipulojnë, sepse njerëzit kanë mësuar ta bëjnë vetë.