Mbështeti protestat në Shqipëri, Egjipti shpall organizatë terroriste forumin e drejtuar prej Kryetarit të Këshillit të Komunës së Çairit nga radhët e VLEN
Egjipti ka përfshirë në listën e organizatave terroriste 35 subjekte që veprojnë në vende të ndryshme të Europës, mes tyre edhe organizata shqiptare ne tre shtete.
Një prej tyre është Forumi Rinor Islamik, në të cilin kryetar i komisionit për punimet studentore është Muhamed Murtezi, aktualisht kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit dhe përfaqësues i koalicionit shqiptar VLEN. Pas publikimit të lajmit që Kryetar i Forumit Rinor Islam është Murtezi, ky i fundit në një reagim në rrjetet sociale e ka mohuar.
Por cila është lidhja e Murtezit me këtë Forum?
Vetë Murtezi në rrjetet e tij social, e po ashtu edhe në rrjetet sociale të Forumit Rinor Islamik, shfaqet në shumë prej organizimeve që kryhen, ku mban ligjërime islame përpara pjesëmarrësve.

Në kanalin e Youtube të këtij forumi, Murtezi shfaqet në disa video duke mbajtur ligjërime islame, të cilat janë të publikuara në këtë platformë.

Më herët Murtezi ka qenë edhe Kryetar i Lidhjes së Rinisë Islame, një informacion i dhënë në jetëshkrimin e tij të publikuar nga VLEN, bashkëngjitur kandidaturës së tij në listat për këshilltarë të kësaj partie në Komunën e Çairit.

Vendimi i Kajros vjen si pjesë e luftës që autoritetet egjiptiane ndjekin kundër Vëllazërisë Myslimane, e cila ka shumë degë në bote. Organizata, e themeluar në Egjipt në vitin 1928, u shpall terroriste nga autoritetet egjiptiane në vitin 2013, pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Mohamed Morsi.
Autoritetet egjiptiane i konsiderojnë rrjetet ndërkombëtare të lidhura me Vëllazërinë Myslimane si një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe synojnë të kufizojnë financimin, organizimin dhe ndikimin e tyre jashtë kufijve të vendit. Vendimi sjell pasoja ligjore sipas legjislacionit egjiptian, përfshirë kufizime të veprimtarisë dhe ngrirjen e aseteve që bien nën juridiksionin e Egjiptit.
Në listën e shpallur nga gjykata egjiptine janë organizata dhe shoqata islamike në shumë vende të Europës perëndimore por edhe shumë persona.
Egjipti ka një histori të rëndë me organizatën Vëllazëria Muslimane e cila është promotori i Islamit Politik dhe mbështetësi i shumë politikanëve që janë rritur dhe shkolluar me mbështetje financiare të saj, në shumë vende të botës arabe por edhe në Europë.
Top Channel