Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, kritikoi Qeverinë Kurti lidhur me vlerësimet e Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Kosovën.
Sipas Osmanit, krahasimi me qeveritë e vitit 2014 e më pas nuk është treguesi i duhur për të matur punën e pushtetit aktual. Ajo tha se raporti shërben për të krahasuar rezultatet e vendit me ato të vitit paraprak.
Të lidhura
None found
Ajo vlerësoi se dokumenti tregon mungesë të përparimit të nevojshëm dhe atij të premtuar, apo, siç u shpreh, të “përparimit të propaganduar”. Osmani shtoi se shqetësimi më i madh lidhet me faktin që në disa fusha themelore për jetën e qytetarëve Kosova nuk ka shënuar asnjë përparim.
Sa i përket funksionimit të gjyqësorit në vitin 2025, Osmani tha se nuk është evidentuar progres. Ajo vuri në dukje se Komisioni Europian, edhe pas gjashtë vitesh të Qeverisë në pushtet, vazhdon të evidentojë ndikimin politik në drejtësi, të cilin e cilësoi si pengesë serioze për paanshmërinë e sistemit.
Osmani tha se është më e lehtë të shpallet luftë ndaj së kaluarës sesa të ndërtohen institucione të pavarura në të tashmen.
Duke iu referuar luftës kundër korrupsionit, ajo theksoi se raporti evidenton rënie të vendimeve dhe dënimeve për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe mungesën e një strategjie kundër korrupsionit. “Gjashtë vjet dhe strategjia askund”, tha Osmani.






