Alarm për bombë në rreth 6 mijë shkolla në Itali. Sipas Ministrisë së Arsimit, institucione të shumta arsimore të të gjitha niveleve kanë marrë një e-mail anonim me kërcënime për sulme me bombë dhe një mesazh që paralajmëronte shfarosjen e italianëve.
Ngjarja nisi rreth orës 11:00, kur në adresat elektronike të mijëra shkollave mbërriti një mesazh i nënshkruar nga një person që prezantohej si Mikhail Antropov, udhëheqës i të ashtuquajturit “Vilayat i Misoginistanit”.
“Kemi ardhur për t’ju shfarosur. Do të vëmë në zbatim një gjenocid kundër italianëve”, shkruhej në e-mail.
Autori pretendonte gjithashtu se brenda ndërtesave shkollore ishte vendosur një “eksploziv i fuqishëm”, i fshehur në një qese plastike dhe i pajisur me “aktivizim në distancë”.
Kërcënimet nuk kufizoheshin vetëm te institucionet arsimore. Në të njëjtin mesazh, dërguesi pretendonte se kishte vendosur edhe një bombë në automjetin e kryeministres italiane.
Pas marrjes së kërcënimeve, kryeministrja italiane Giorgia Meloni thirri një mbledhje për të garantuar sigurinë dhe për të vlerësuar situatën. Mesazhet shkaktuan shqetësim në shkolla, ku pati evakuime dhe momente paniku. Megjithatë, situata duket se është kthyer në normalitet, ndërsa autoritetet vijojnë të mbajnë në vëmendje rastin.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe në Irlandën e Veriut, ku qindra institucione arsimore kanë marrë email-e kërcënuese. Megjithatë, policia lokale ka konfirmuar se bëhej fjalë për një alarm të rremë.
Ndërkohë autoritetet italiane po përballen kështu me një situatë që ka shkaktuar alarm të gjerë në sistemin arsimor, për shkak të përmasave të kërcënimeve dhe numrit të madh të institucioneve të përfshira.