Alarm për bombë në 6 mijë shkolla në Itali pas një e-maili kërcënues: Kemi ardhur për t’ju shfarosur
Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, do të udhëtojnë drejt Moskës për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Ky takim vjen pas përfundimit të bisedimeve në Abu Dhabi mes përfaqësuesve të Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, pa një marrëveshje konkrete për përfundimin e luftës.
Lajmin e bëri të ditur këtë të mërkurë Jared Kushner gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Steve dhe unë do të udhëtojmë nesër drejt Moskës për t’u takuar me presidentin Putin, për të shqyrtuar atë që u diskutua sot dhe për të bërë përpjekje për më shumë përparim në disa nga çështjet që trajtuam, pasi shohim disa mundësi dhe hapësira për përparim”, deklaroi dhëndri i presidentit amerikan.
Vizita vjen pas dy ditësh bisedimesh mes negociatorëve rusë, ukrainas dhe amerikanë, takimi i parë i këtij formati që prej muajit shkurt. Administrata Trump ka intensifikuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila po i afrohet vitit të pestë.
Megjithatë, lëshimet që Trump ka paralajmëruar së fundmi ndaj Moskës kanë shkaktuar shqetësim në kryeqytetet europiane, ku ekziston frika se Uashingtoni mund të përpiqet të imponojë një marrëveshje paqeje sipas kushteve të favorshme për Rusinë.
Kushner tha se gjatë kontakteve të ardhshme do të synohet finalizimi i marrëveshjeve për ndihmën humanitare dhe shkëmbimin e të burgosurve, si dhe përfshirja e vendeve europiane në negociata, një format shumëpalësh të cilit Moska deri më tani i ka rezistuar.
Pas Moskës, Kushner dhe Witkoff pritet të udhëtojnë edhe drejt Dublinit, ku do të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar propozimet e trajtuara në Abu Dhabi.
Bisedimet e së mërkurës përfunduan pas më pak se dy orësh, pa shenja të një ndryshimi të qëndrimit të Rusisë për kërkesat e saj kryesore. Negociatori kryesor rus, Vladimir Medinsky, deklaroi se palët kishin arritur mirëkuptim për disa çështje, por jo për të gjitha.
“Në disa fusha arritëm një mirëkuptim të përbashkët. Në të tjera, jo. Kjo bisedë, pa dyshim, do të vazhdojë”, u shpreh Medinsky.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësoi organizimin e bisedimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe bëri të ditur se ato kishin prodhuar një “marrëveshje të rëndësishme humanitare” për një shkëmbim të ri të të burgosurve.
“Palët diskutuan pikëpamjet e tyre për garancitë e sigurisë dhe hapi i parë duhet të jetë përfundimi i kësaj lufte dhe garantimi i sigurisë së Ukrainës. Diskutuam edhe formate më të gjera për vijimin e punës, me përfshirjen e partnerëve evropianë”, shkroi Zelensky në Telegram.
Kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Ukrainës dhe njëkohësisht negociatori kryesor, Rustem Umerov, deklaroi se ishte shënuar përparim në disa çështje, përfshirë ato të sigurisë, por theksoi se mbeten “dallime të konsiderueshme” mes palëve.
Një tjetër negociator ukrainas, Davyd Arakhamia, tha se pala ruse kishte ardhur në tryezën e bisedimeve me “udhëzime shumë të rrepta”.
“Jam pjesë e këtij procesi që prej vitit 2022 dhe mund të them me bindje se kjo ishte një nga rundet më të vështira”, deklaroi Arakhamia.
Ndërkohë, përfaqësues europianë kanë zhvilluar këtë javë takime të veçanta në Abu Dhabi me negociatorët ukrainas dhe amerikanë.
Javën e kaluar, Trump paralajmëroi një marrëveshje të re sigurie për Ukrainën, për të cilën tha se “mund të përfshijë të gjithë Europën”. Deklarata u shfrytëzua nga zyrtarët europianë për të përsëritur kërkesën që vendet e tyre të kenë një rol më të madh në negociatat për paqen.
Moska, nga ana e saj, ka kundërshtuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve europianë. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, kritikoi praninë e zyrtarëve europianë në Abu Dhabi, duke e cilësuar këtë përfshirje si një “qasje jo premtuese”.
I pyetur nëse kishte pasur kontakte mes përfaqësuesve rusë dhe atyre të Bashkimit Europian në qytetin e Emirateve, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përgjigj:
“Asnjë kontakt i tillë nuk ishte planifikuar dhe as nuk ndodhi”.
Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të martën në Paris, gjatë një takimi të G7, se synimi i administratës amerikane është zgjerimi i formatit të negociatave, në mënyrë që evropianët të “përfaqësohen drejtpërdrejt në atë tryezë”.
Ukraina ka këmbëngulur prej kohësh se vendet europiane duhet të jenë pjesë e tryezës kryesore të negociatave.
“Ne besojmë se Europa duhet të përfaqësohet në të gjitha fazat e diplomacisë thelbësore”, deklaroi Zelensky të mërkurën.
Takimi i planifikuar në Moskë mes Putinit dhe të dërguarve të Trump pritet të jetë një tjetër përpjekje diplomatike për të kapërcyer mosmarrëveshjet që vazhdojnë të pengojnë arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Top Channel