Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Budapest, ku u prit nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Anita Orbán. Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit europian të Shqipërisë, marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet e sigurisë në rajon dhe Europë.
Gjatë diskutimeve për rrugëtimin europian të Shqipërisë, Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë dhe rolin e saj në promovimin e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe përmes Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor.
“Ka diçka veçanërisht të vlefshme në diskutimin për zgjerimin me vende që e kanë përshkuar vetë këtë rrugë. Ato e dinë çfarë kërkon ky proces, por dinë edhe çfarë sjell ai. Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën më vendimtare të negociatave të saj për anëtarësimin në BE. Ambicia jonë, siç pasqyrohet tashmë edhe në udhërrëfyesin e Komisionit, është e qartë: të bëjmë punën, të çojmë përpara reformat dhe të përmbyllim pjesën teknike të negociatave deri në fund të vitit 2027. Ndërsa ecim përpara në këtë fazë kërkuese, jemi të kënaqur që mund të mbështetemi në përkrahjen e vazhdueshme të Hungarisë”, deklaroi Hoxha.
Një tjetër temë e diskutimit ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Ministri theksoi nevojën për rritjen e tregtisë dhe investimeve, zgjerimin e lidhjeve energjetike, zhvillimin e turizmit dhe bashkëpunimin në arsim e kulturë.
“Ramë dakord se sfida e radhës është t’u japim këtyre marrëdhënieve edhe më shumë përmbajtje ekonomike dhe njerëzore: më shumë tregti dhe investime, lidhje më të forta energjetike, më shumë turizëm dhe bashkëpunim më të thellë në arsim dhe kulturë. Bizneset hungareze kanë tashmë një prani të rëndësishme në Shqipëri, por potenciali për të bërë më shumë është i konsiderueshëm”, u shpreh Hoxha, duke shtuar se mbetet përgjegjësi e dy vendeve të krijojnë më shumë mundësi konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Hoxha dhe homologja hungareze shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi sigurinë rajonale dhe europiane. Në fokus të bisedimeve ishte siguria energjetike dhe rëndësia e unitetit të NATO-s në një kohë kur Europa përballet me sfida të rëndësishme gjeopolitike.
