Franca frikësohet nga përshkallëzimi bërthamor me Rusinë, kërkon transparencë nga Gjermania për raketat e reja

Franca ka ngritur shqetësimin për rrezikun e një përshkallëzimi bërthamor në rast të një konflikti të mundshëm me Rusinë, duke paralajmëruar se përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi mund të shkaktojë keqinterpretime të rrezikshme nga Moska.
Sipas një raportimi të gazetës Financial Times, Parisi i ka kërkuar Berlinit të bëjë të qarta planet për zhvillimin dhe përdorimin e këtyre sistemeve të armatimit, nga frika se Rusia mund t’i interpretojë sulmet konvencionale të aleatëve evropianë si fillimin e një operacioni më të gjerë ushtarak.
Shqetësimi francez vjen në një kohë kur Gjermania po zgjeron me ritme të shpejta arsenalin e saj të raketave me rreze të gjatë, përfshirë sisteme të afta për të goditur objektiva thellë brenda territorit rus.
Zyrtarët francezë kërkojnë që planet gjermane të jenë në përputhje me doktrinën bërthamore të Francës, në mënyrë që të shmangen veprime që mund të çojnë në një përshkallëzim të pakontrolluar të konfliktit.
Ndërkohë që Parisi shpreh shqetësimet e tij, Berlini po përshpejton ndjeshëm forcimin e kapaciteteve ushtarake.
Gjermania planifikon të investojë rreth 12 miliardë euro në krijimin e një arsenali të ri raketash me rreze të gjatë veprimi, me synimin për të forcuar aftësitë parandaluese ndaj Rusisë.Programi i armatimit përfshin raketa lundruese me kosto të ulët, raketa amerikane Tomahawk, si dhe sisteme të avancuara të zhvilluara në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
Në këtë kuadër, Berlini parashikon të shpenzojë afro 3.4 miliardë euro për blerjen e raketave amerikane Tomahawk dhe sistemeve të lëvizshme të lëshimit Typhon.
Raketat Tomahawk, me një rreze veprimi të raportuar prej rreth 2.500 kilometrash, do t’i jepnin Gjermanisë mundësinë për të goditur nga toka objektiva që ndodhen shumë larg vijave të frontit.
Paralelisht, Gjermania po bashkëpunon me Britaninë e Madhe në një program sekret për zhvillimin e raketave të reja.
Projekti i përbashkët, i quajtur “Deep Precision Strike”, synon krijimin e një sistemi armësh me rreze veprimi deri në 2.000 kilometra, i aftë për të goditur objektiva të rëndësishëm ushtarakë, përfshirë qendrat logjistike dhe linjat e furnizimit në brendësi të territorit rus.
Sistemi i ri mund të bëhet operacional deri në vitin 2034.




