Zemërimi për çmimet e banesave nxjerr Spanjën në rrugë, vendi përfshihet nga greva historike. Qeveria nën presion
Një 32-vjeçar nga Skocia është konfirmuar si një nga viktimat e të shtënave masive në qytetin polak të Krakovit, ku mbetën të vrarë gjashtë persona.Viktima, i identifikuar si James Thomas Campbell, nga Prestwick, humbi jetën të shtunën, kur një person i armatosur hapi zjarr në qendër të qytetit.
Campbell punonte si DJ në zonën e Ayrshire. Policia skoceze konfirmoi se po ofron mbështetje të specializuar për familjen e tij, ndërsa procedura zyrtare e identifikimit ende nuk ka përfunduar.
Sulmuesi 24-vjeçar, i identifikuar nga mediat lokale si Michal Oksinski, ndërroi jetë në spital të hënën. Ai dyshohet se vrau gjithashtu katër shtetas polakë dhe një grua austriake. Nga sulmi mbetën të plagosur edhe 15 persona të tjerë, mes tyre dy efektivë policie.
David McAlinden, inspektor i lartë hetimor në njësinë kundër terrorizmit të Policisë së Skocisë, deklaroi se autoritetet ishin në dijeni të vdekjes tragjike të shtetasit skocez në Krakov.
“Duke punuar në bashkëpunim me Zyrën e Kurorës dhe Shërbimin e Prokurorit Publik (COPFS), Policia e Skocisë po mbështet rrjetin britanik të policisë kundër terrorizmit dhe autoritetet polake”, deklaroi ai.
McAlinden shtoi se përparësia e menjëhershme është konfirmimi i saktë i identitetit të viktimës, në mënyrë që familja të mundësojë riatdhesimin e trupit sa më shpejt.
“Familja ka kërkuar që privatësia e saj të respektohet. Mendimet tona janë me ta dhe me të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje”, u shpreh zyrtari i policisë.
Ngjarja ndodhi pak para orës 15:00 me orën lokale, në Sheshin Kryesor të Tregut (Main Market Square) në Krakov, një nga zonat më të frekuentuara nga turistët. Sipas policisë, autori hyri me automjet në shesh dhe më pas nisi të qëllonte në mënyrë të rastësishme drejt njerëzve nga makina e tij.
Efektivët e armatosur mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe u përfshinë në një shkëmbim zjarri me sulmuesin. Ai u qëllua brenda tre minutave nga nisja e sulmit. Përveç gjashtë viktimave në qendër të Krakovit, policia zbuloi më vonë të shtunën edhe trupat e prindërve dhe motrës së autorit në banesën e tij.
Në ditët pas ngjarjes, dy miq nga Aberdeeni i Skocisë, Ciaran McMenemy, 26 vjeç, dhe Charlie Hutchison, 27 vjeç, treguan momentet e tmerrit gjatë sulmit. Ata deklaruan se sapo ishin ulur për të pirë diçka kur dëgjuan të shtënat me armë zjarri.
Të frikësuar, të dy u larguan menjëherë me vrap dhe kërkuan strehim për t’i shpëtuar plumbave. Ngjarja tronditi qytetin polak, ndërsa autoritetet vijojnë bashkëpunimin me homologët britanikë për procedurat që lidhen me viktimën skoceze.
Top Channel