Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dënuar deklaratat e Taulant Ballës ndaj eurodeputetit Michael Gahler, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe skandaloze.
Në reagimin e tij, Bardhi shprehet se gjuha e përdorur nga Balla ndaj Gahler, i cili drejton Delegacionin e Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri dhe është koordinator i grupit parlamentar të EPP-së, përbën një sulm që nuk duhet toleruar.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, apeli i eurodeputetit duhet të dëgjohet dhe të merret seriozisht, pasi nuk përfaqëson vetëm një qëndrim personal, por pasqyron edhe qëndrimin e shprehur në Rezolutën e Parlamentit Europian të vitit 2025.
“Garantimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme, të barabarta dhe demokratike, si dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk është thjesht një kërkesë e partnerëve europianë. Ato janë një detyrim themelor i demokracisë dhe një kusht i domosdoshëm për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian”, thekson Bardhi.
Në përfundim, ai nënvizon se askush nuk mund të intimidojë apo delegjitimojë përfaqësuesit europianë që kërkojnë respektimin e standardeve demokratike dhe të vlerave të Bashkimit Europian.
