Në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur për ndryshimet politike në Serbi, pengesat që po has Kosova në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe projektet për të cilat po kërkon mbështetjen e Francës.
“Ne e dimë se kush humbi, por ende nuk e dimë se kush fitoi”, është shprehur Kurti për zgjedhjet në Serbi, ku Lista Studentore doli fituese përballë Aleksandwr Vuçiçit.
Por ndërsa në Serbi ka ndryshuar rezultati politik, Kosova vazhdon të përballet me kundërshtimin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e saj: Spanjës, Qipros, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.
Sipas Kurtit, Sllovakia është vendi që paraqet rezistencën më të madhe ndaj Kosovës. Kryeministri sllovak Robert Fico, i njohur për afërsinë ideologjike me presidentin rus Vladimir Putin, ishte shfaqur përkrah Vuçiçit gjatë fushatës zgjedhore në Serbi.
Për shkak të këtyre kundërshtimeve, Kosova mbetet ende pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Megjithatë, Kurti këmbëngul se nuk kërkon favore nga Brukseli.
“Ne nuk duam rrugë të shkurtra, proces të përshpejtuar apo hyrje nga dyert e pasme në Bashkimin Evropian, por një proces të bazuar në meritë”, tha ai.
Në intervistë, kryeministri bwri tw ditur se reformat në drejtësi, administratë publike dhe arsim do të jenë prioritetet e tij për katër vitet e ardhshme.
Deklaratat vijnë gjatë vizitës treditore të Kurtit në Paris, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes dhe ka zhvilluar dy takime me presidentin francez Emmanuel Macron, fillimisht të martën në Pallatin Elize dhe më pas të mërkurën, me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dyja vendeve.
Në qendër të bisedimeve është edhe mbështetja franceze për projektet ekonomike dhe infrastrukturore të Kosovës. Një prej tyre lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në Prishtinë, për të cilat Kosova ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim, për projektimin e fshatit ndërkombëtar të sportistëve.
Në sektorin e energjisë, kompania franceze Akuo Energy fitoi më 10 nëntor një tender për ndërtimin e turbinave me erë me kapacitet 98 megavat. Ndërkohë, qeveria e Kosovës po kërkon edhe 500 milionë euro për ndërtimin e pesë digave, që do t'u shërbejnë nevojave të industrisë, bujqësisë dhe familjeve.
Një tjetër fushë ku Kurti kërkon mbështetjen e Parisit është transporti hekurudhor. Kosova synon ndërtimin e tri linjave të reja dhe modernizimin e një linje ekzistuese, si dhe përfshirjen në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit. Për kryeministrin, hekurudhat nuk janë vetëm çështje zhvillimi ekonomik, por edhe sigurie, sidomos në kushtet e luftës në Ukrainë.
“Shikoni Ukrainën, atje shkohet me tren, jo me aeroplan. Prandaj, ky është mjeti më rezistent i transportit”, tha ai.
Duke iu referuar agresionit rus, Kurti ka paralajmëruar se zhvillimet ndërkombëtare po rikthejnë në vëmendje rreziqe që lidhen me sigurinë.
“Agresioni rus ndaj Ukrainës tregon se historia po rikthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë në këtë shekull”, u shpreh kryeministri i Kosovës.
“Le Monde” e përshkruan Kurtin si një kryeministër që, pavarësisht ndjesisë së cenueshmërisë së Kosovës përballë zhvillimeve të reja ndërkombëtare, nuk shfaq shenja shqetësimi.





Komente
Komento