Coca‑Cola Bottling Shqipëria (CCBS) prezanton Raportin e Tretë të Qëndrueshmërisë, që dokumenton transformimin industrial dhe performancën për vitin 2025. Të ardhurat u rritën me 3,4%, duke arritur 6,13 miliardë lekë. Energjia e vetëprodhuar nga fotovoltaiket mbuloi 31% të konsumit elektrik, ndërsa materiali i ricikluar në ambalazhe u rrit nga 46% në 53%. Përqindja e materialeve të rinovueshme në total ishte 74%.
Rikuperimi i mbetjeve në fabrikë u rrit në 85% nga 79%, pavarësisht rritjes së volumit të prodhimit dhe vënies në funksion të linjës së re për shishe qelqi të kthyeshme. Modernizimi i impianteve dhe investimet industriale përforcuan rritjen e prodhimit dhe synojnë përmirësimin gradual të efikasitetit operacional.
Raporti evidenton një rritje të emetimeve direkte Scope 1 me 606 tonë ekuivalent CO₂ krahasuar me një vit më parë, kryesisht për shkak të faktorëve operacionalë gjatë vënies dhe stabilizimit të linjave të reja; kompania parashikon që përfitimet e investimeve të shfaqen gradualisht gjatë periudhës 2026–2027. Si objektiv afatgjatë, CCBS synon të bëhet kompania e parë industriale Carbon Neutral në Shqipëri deri në vitin 2030, duke theksuar nevojën për investime, ndryshim të proceseve dhe matje të përparimit.
Në fushën e menaxhimit të ujit, Plani për Efikasitetin e Përdorimit të Ujit parashikon përmirësim të efikasitetit me 25–30% deri në 2030 përmes investimeve në impiante, sisteme monitorimi, ripërdorim të ujërave të shpëlarjes dhe teknologji me konsum të ulët.
Raporti evidenton gjithashtu kontributin në ekonominë vendase: rreth 80% e furnitorëve janë biznese shqiptare. Numri i punonjësve në 2025 arriti 400, ndërsa orët e trajnimit u rritën në 6.420 (nga 6.020), me fokus mjedisin, cilësinë dhe sigurinë. Veprimtaria sociale përfshin mbështetjen e nismave të përfshirjes, përfshirë partneritetin me Special Olympics Albania.
Raporti përmbledh angazhimin e CCBS në investime industriale, inovacion teknologjik, menaxhim të burimeve dhe vlerësim të punonjësve, si elemente kyçe të strategjisë së qëndrueshmërisë.
