Policia në Belgjikë do të mund të hyjë me forcë në banesa, edhe pa pëlqimin e personave që jetojnë aty, për të ndaluar dhe dëbuar emigrantët pa dokumente që plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligjin e ri. Masa, e miratuar nga deputetët belgë dhe që pritet të hyjë në fuqi pranverën e ardhshme, ka shkaktuar kundërshtime nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat paralajmërojnë për kontrolle të ngjashme me ato të agjencisë amerikane të emigracionit ICE.
Sipas ligjit, Zyra belge e Emigracionit do të ketë të drejtë t’i kërkojë një gjyqtari hetues autorizim për të hyrë në banesa ku dyshohet se strehohen persona pa dokumente. Kjo përfshin edhe shtëpitë e qytetarëve që kanë pranuar të strehojnë emigrantë, qofshin miq apo familjarë të tyre.
Pasi të marrë autorizimin e gjykatës, policia do të mund të hyjë në banesa pa pëlqimin e banorëve nga ora 05:00 deri në 21:00, edhe në prani të fëmijëve. Efektivët do të kenë të drejtë të ndalojnë personat që kërkojnë dhe të kontrollojnë për dokumente identifikimi.
Qeveria belge, e drejtuar nga një koalicion i së djathtës, argumenton se masat synojnë personat të cilëve u është refuzuar azili, që nuk kanë zbatuar urdhrat për t’u larguar nga vendi dhe që konsiderohen kërcënim për rendin publik ose sigurinë kombëtare.
Por pikërisht përkufizimi i një kërcënimi për rendin publik është një nga pikat më të kundërshtuara të ligjit.
Kritikët thonë se ky përkufizim është i paqartë, duke përmendur raste kur terma të tillë janë përdorur edhe për persona që kanë punuar pa u deklaruar, kanë kaluar me semafor të kuq apo kanë kryer vjedhje në dyqane.
Përpara votimit parlamentar të së premtes së kaluar, në të gjithë Belgjikën u organizuan më shumë se 60 protesta kundër ligjit. Kundërshtimet kanë ardhur jo vetëm nga organizatat joqeveritare, por edhe nga gjyqtarë dhe shoqata avokatësh.
“Është një ligj i frikës”, deklaroi Carine Thibaut, drejtuese e seksionit belg frankofon të Amnesty International, duke paralajmëruar për ndikimin që kontrollet mund të kenë te fëmijët dhe familjet që strehojnë emigrantë.
Sipas Amnesty International, gjyqtarët që do të autorizojnë hyrjen në banesa nuk do të kenë kompetenca të plota hetimore dhe do të jenë të kufizuar në informacionin shtesë që mund të kërkojnë. Organizata kritikon gjithashtu mungesën e një mekanizmi për të apeluar apo kundërshtuar vendimet.
“Ata thonë gjithmonë se bëhet fjalë për kriminelë. Ne u përgjigjemi se tashmë i kanë të gjitha mjetet për ta trajtuar këtë problem, sepse mund ta bëjnë përmes sistemit të zakonshëm të drejtësisë”, tha Thibaut.
Amnesty International është mes 20 organizatave të të drejtave të njeriut që kanë kundërshtuar ligjin, duke paralajmëruar se ai rrezikon të barazojë mungesën e dokumenteve të qëndrimit me kriminalitetin.
“Banesa është e paprekshme. Ky parim kushtetues nuk duhet të varet kurrë nga statusi administrativ i atyre që jetojnë aty”, theksuan organizatat në një deklaratë të përbashkët.
Shqetësime të ngjashme ka ngritur edhe Platforma për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Emigrantët pa Dokumente (PICUM), me seli në Bruksel.
“Kjo nuk ka të bëjë aspak me njerëz që kanë kryer krime. Bëhet fjalë për dëshirën për t’i kthyer njerëzit, për t’i dëbuar, që është një procedurë administrative”, u shpreh përfaqësuesja e saj, Chiara Catelli.
Catelli e krahasoi ligjin belg me kontrollet e agjencisë amerikane ICE, të cilat janë shtuar gjatë administratës së presidentit Donald Trump.
“Të gjithë i kemi parë pasojat shkatërruese të kontrolleve në banesa në SHBA, ku ato nxisin frikë dhe dhunë dhe ndajnë familjet. Është thellësisht shqetësuese që një shtet anëtar i BE-së po shkon tani në të njëjtin drejtim”, deklaroi ajo.
Sipas përfaqësueses së PICUM, masa të ngjashme kufizuese ekzistojnë tashmë në vende si Holanda dhe Gjermania. Edhe rregullorja e miratuar së fundmi nga Bashkimi Evropian për kthimin e emigrantëve përmban dispozita të ngjashme, çka mund t’u hapë rrugën masave të tilla edhe në shtete të tjera anëtare.
“Kemi vërtet frikë se ky është fillimi i diçkaje që do të përhapet më gjerësisht”, tha Catelli.
Edhe Amnesty International paralajmëron se masa të tilla mund të cenojnë gradualisht të drejtat e të gjithë qytetarëve, jo vetëm të emigrantëve pa dokumente.
“Këtë herë bëhet fjalë për njerëzit pa dokumente. Më pas mund të jenë njerëzit që përdorin drogë. Kjo është mënyra se si, pak nga pak, shpërbëhet një shoqëri e bazuar në të drejtat e njeriut, respektimin e drejtësisë dhe ndarjen e pushteteve”, përfundoi Thibaut.