Pas disa javësh pasigurie dhe pikëpyetjesh mbi zhvillimin e dy garave të fundit të sezonit, për shkak të situatës së paqëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe konflikteve që vijojnë në rajon, vjen konfirmimi zyrtar: Formula 1 do të zhvillojë normalisht garat në Katar dhe Abu Dabi, dy ndalesat përmbyllëse të Kampionatit Botëror 2026.

 

Lajmin e ka njoftuar vetë presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet e tij sociale. “Jemi gati për Katarin dhe Abu Dabin. Jemi plotësisht të përgatitur dhe të angazhuar për të organizuar dy fundjava të jashtëzakonshme garash dhe një finale spektakolare të Kampionatit Botëror të Formulës 1. Mezi presim të mirëpresim pilotët, skuadrat dhe tifozët në dy pista ikonike, për një përfundim të paharrueshëm të sezonit. Shihemi në start”, deklaroi Ben Sulajem.

Ky njoftim i jep fund spekulimeve për një alternativë të mundshme në rast të ndryshimit të vendeve pritëse të garave të fundit të sezonit. Ndër alternativat e përmendura ishte edhe pista e Imolës, e cila kishte shprehur gatishmërinë për të organizuar një Çmim të Madh në fundjavën e 6 dhjetorit, në rast se do të nevojitej një pistë zëvendësuese. Megjithatë, pas konfirmimit të FIA-s, Imola mbetet jashtë planeve për finalen e sezonit 2026, ndërsa Formula 1 do ta mbyllë kampionatin në Katar dhe Abu Dabi, sipas kalendarit të parashikuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb