Aktualitet

Votat për Sara Milën në këmbim të ndihmës ekonomike? Dosja zbulon si u përjashtuan 55 familjet pas sigurimit të mandatit!

Ndihma ekonomike në Elbasan dyshohet se është përdorur për të siguruar vota në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Sipas një dosjeje hetimore të Prokurorisë së Elbasanit, dhjetëra familje dyshohet se janë përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike me qëllim që të votonin për kandidaten e atëhershme, Sara Mila.

Por një tjetër fakt që ka dalë gjatë hetimeve lidhet me periudhën pas zgjedhjeve. Nga 60 familje të verifikuara nga prokuroria, 55 prej tyre rezultojnë të jenë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike në muajt maj-qershor 2026.

Sipas materialeve hetimore, të cilat janë bërë pjesë e dosjes, dyshohet se punonjës të Shërbimit Social në Elbasan kanë rritur në mënyrë fiktive numrin e familjeve përfituese gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Nga hetimet rezulton se aplikimet për disa qytetarë janë kryer nga vetë punonjësit e institucionit. Madje, një pjesë e personave që figuronin si përfitues të ndihmës ekonomike dyshohet se ndodheshin jashtë Shqipërisë dhe jetonin në emigracion.

Në dëshmitë e dhëna përpara prokurorëve, punonjës të Shërbimit Social kanë deklaruar se në mars të vitit 2025, pas nisjes së fushatës zgjedhore, drejtuesja e institucionit u kishte kërkuar të rrisnin numrin e familjeve që përfitonin ndihmë ekonomike.

Një pjesë e rëndësishme e provave të administruara në dosje janë komunikimet mes punonjësve të Shërbimit Social dhe drejtuesve të institucionit. Në këto komunikime, sipas hetimit, përmendet edhe deputetja Sara Mila.

Prokuroria e Elbasanit ka hetuar dyshimet për përdorimin e ndihmës ekonomike në funksion të fushatës zgjedhore dhe më pas ia ka përcjellë materialet SPAK-ut, për të hetuar rolin e mundshëm të deputetes.

Në dosje evidentohet edhe fakti se shumica e familjeve të përfshira në verifikim kanë humbur përfitimin nga skema pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Nga verifikimet dhe përfitimet e shtetasve të listuar në vendimin e sekuestrimit të datës 29.05.2026 për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 01.10.2024-01.04.2025, ka rezultuar se rreth 55 familje nga 60 që ishte kampioni i hetimit janë përjashtuar nga skema e Ndihmës Ekonomike në muajt maj-qershor 2026”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Elbasanit.

Sipas të njëjtit dokument, përjashtimet nga skema kanë ndodhur në një periudhë kur prokuroria kishte nisur hetimet dhe kishte filluar të thërriste për deklarime personat me funksione shtetërore.

Ndërkohë, Sara Mila u paraqit këtë të mërkurë në SPAK, ku ka dhënë shpjegime lidhur me çështjen. Pas daljes nga institucioni, ajo deklaroi se po zhvillon një betejë për dinjitetin e saj dhe për t’i dhënë fund, sipas saj, sulmeve politike ndaj personit të saj.

E pyetur për dyshimet se ndihma ekonomike mund të jetë përdorur për të siguruar vota në favor të saj, deputetja nuk dha një përgjigje konkrete, duke u shprehur se çështja është nën sekretin hetimor.

Deri më tani, Sara Mila vijon të mbajë mandatin e deputetes, ndërsa hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi mënyrën se si janë trajtuar aplikimet për ndihmë ekonomike në Elbasan, rolin e punonjësve të administratës dhe nëse ka pasur ndikim politik në procesin e përfitimit të saj.

55 nga 60 familjet e verifikuara nuk përfitojnë më ndihmë ekonomike, ndërsa dyshimet për përdorimin e skemës në funksion të zgjedhjeve mbeten objekt i hetimit.