Dy raketa lundruese të tipit S8000 Banderol, të lëshuara nga dronë, kanë hyrë në hapësirën ajrore të Moldavisë gjatë sulmeve të mëdha ruse ndaj Ukrainës.

Lajmi është bërë i ditur nga Sistemi Kombëtar i Integruar i Monitorimit të Moldavisë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi ka publikuar detajet e incidentit, raporton European Pravda.

Sipas autoriteteve moldave, raketa e parë kaloi kufirin shtetëror në orën 06:04, nga fshati Yasky, në rajonin e Odesës në Ukrainë, në drejtim të fshatit Tudora, në distriktin Ștefan Vodă të Moldavisë.

Ajo qëndroi në hapësirën ajrore moldave deri në orën 06:09, kur u largua në drejtim të fshatit Starokozache, në rajonin e Odesës, transmeton Telegrafi.

Raketa e dytë hyri në hapësirën ajrore të Moldavisë në orën 06:06, duke kaluar nga fshati Lymanske i Ukrainës drejt fshatit Pervomaisc, në zonën e Transnistrisë. Ajo u largua në orën 06:10, në drejtim të qytetit Rozdilna, në rajonin e Odesës.

Qendra e Operacioneve Ajrore e Ushtrisë Kombëtare të Moldavisë po vazhdon monitorimin e hapësirës ajrore të vendit, në koordinim me autoritetet përkatëse dhe partnerët ndërkombëtarë.