Tre palestinezë, mes tyre dy vëllezër, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës të dielën, bëjnë me dije zyrtarët lokalë të shëndetësisë.
Sipas punonjësve të shpëtimit, një prej viktimave u vra pasi një sulm ajror goditi çatinë e një pallati në qytetin e Gazës.
Ndërkohë, një tjetër sulm në lagjen Sheikh Radwan mori jetën e dy vëllezërve, Mahmoud dhe Jamil Al-Absi, të cilët ndodheshin në një tendë ku strehoheshin persona të zhvendosur nga lufta.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur persona që i cilësoi si militantë terroristë në të dyja zonat, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi operacionet.
Ngjarja vjen në një kohë kur marrëveshja e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe që synonte hapjen e rrugës për rindërtimin e Gazës, nuk ka sjellë ende përparimin e pritshëm.
Negociatat mes palëve vijojnë të jenë të bllokuara, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çarmatosjen e Hamasit dhe tërheqjen e trupave izraelite nga territori palestinez.
Izraeli pretendon se Hamasi po përpiqet të riorganizohet dhe të rindërtojë arsenalin e tij ushtarak. Nga ana tjetër, Hamasi deklaron se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe akuzon Izraelin për shkeljen e saj.













