
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila ka reaguar pas paraqitjes së saj në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke hedhur poshtë pretendimet se është person nën hetim. Mila thekson se nuk ka asnjë çështje hetimore ndaj saj dhe sqaron se dëshmia e dhënë sot në SPAK lidhet me rolin e saj si person që mund t’i vijë në ndihmë hetimit.
“Nuk jam person në hetim, nuk ka asnjë çështje hetimore ndaj meje”, shprehet deputetja, duke mohuar gjithashtu çdo lidhje me dosjen që sipas saj, po qarkullon në media përmes fragmenteve.
Mila i ka cilësuar lajmet që po publikohen si të pavërteta dhe të fabrikuara, duke akuzuar qarqe politike për përhapjen e tyre me qëllim dëmtimin e imazhit të saj. “Kam dëshmuar sot në SPAK për sa më takon, si person që mund t’i vij në ndihmë hetimit. Kjo është e vetmja e vërtetë”, thekson ajo.
Postimi i plotë
Në zonë, në krye të detyrës.
Lajmet e rreme, të shitura e fabrikuara nga duar të politikës së vjetër e ngatërrestarëve iluzionarë nuk ma ndalin dëshirën për të punuar çdo ditë për çfarë më është besuar.
NUK JAM PERSON NË HETIM, NUK KA ASNJË ÇËSHTJE HETIMORE NDAJ MEJE. Dosja që qarkullon me fragmente si kacidhe për ushqim mediatik nuk ka asnjë lidhje me mua.
Kam dëshmuar sot në SPAK për sa më takon, si person që mund t’i vij në ndihmë hetimit. Kjo është e vetmja e vërtetë. Gjithçka tjetër vazhdon të jetë baltë për të turbulluar marrëzinë online.
