Bizneset shqiptare do të kenë nevojë të përshtaten me kërkesa të reja për prodhimin, shërbimet dhe konkurrencën në tregun europian, ndërsa vendi vijon procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Për t'i ndihmuar në këtë proces, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka nisur përgatitjen e një programi mbështetës.
Këtë e bëri të ditur ministrja Delina Ibrahimaj gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit të Investimeve, ku morën pjesë përfaqësues të biznesit dhe partnerë ndërkombëtarë. Sipas Ibrahimajt, përafrimi me standardet e BE-së nuk përfundon me ndryshimin e ligjeve, pasi edhe vetë ndërmarrjet duhet të përgatiten për zbatimin e kërkesave të reja.
Programi i parashikuar do të zhvillohet në disa faza. Fillimisht, bizneset do të informohen për standardet që vlejnë për të gjithë sektorët dhe për ato që lidhen me veprimtari të caktuara ekonomike.
Më pas, do të mblidhen të dhëna drejtpërdrejt nga ndërmarrjet për të kuptuar sa të përgatitura janë dhe çfarë mbështetjeje u nevojitet. Në fokus do të jenë investimet në teknologji, pajisje, ambiente dhe certifikime për përmbushjen e standardeve europiane.
Ministrja bëri të ditur se mbështetja për certifikimin dhe modernizimin e bizneseve është përfshirë edhe në programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”. Ndërkohë, po shqyrtohen forma të tjera financimi, përfshirë mundësinë e granteve të posaçme.
Një tjetër çështje e diskutuar në Këshillin e Investimeve ishte lehtësimi i procedurave administrative që bizneset duhet të ndjekin për të ushtruar aktivitetin e tyre. Ibrahimaj njoftoi se në dhjetor do të rinisin tryezat e konsultimit me sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në këto takime do të shqyrtohen procedurat për marrjen e lejeve, licencave, autorizimeve dhe shërbimeve të tjera publike, si dhe kostot e pengesat që hasin sipërmarrjet.
Ministrja u bëri thirrje përfaqësuesve të biznesit dhe shoqatave të marrin pjesë në konsultime dhe të paraqesin problematikat me të cilat përballen. Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për forcimin e sistemit të klasifikimit, monitorimit dhe inspektimit, përmirësimin e standardeve në turizëm dhe zbatimin e barabartë të kërkesave ligjore për të gjitha bizneset.
Ibrahimaj u ndal gjithashtu te projektligji i ri “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili është në konsultim publik dhe qw synon përafrimin e kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Europian. Ai parashikon mekanizma për mbrojtjen e investimeve, shqyrtimin e investimeve të huaja direkte dhe masa mbështetëse për investitorët.
Sipas ministres, konsultimet me biznesin dhe partnerët ndërkombëtarë do të vijojnë, ndërsa aktet nënligjore do të përgatiten dhe diskutohen paralelisht me projektligjin.









Komente
Komento