Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka akuzuar Edi Ramën se po refuzon hapjen 100% të listave zgjedhore dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor do që ti bëjë pa konsensusin e opozitës.
I ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, Bylykbashi tha se Taulant Balla ka deklaruar se mazhoranca mund ta bëjë vetë reformën, pavarësisht kërkesës së Bashkimit Europian që ajo të realizohet me konsensus.
Bylykbashi theksoi se PD kërkon sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe lista 100% të hapura për këshillat bashkiakë.
Ai solli si argument qëndrimin e mazhorancës për ndryshimin e mënyrës së hartimit të listave për këshillat bashkiakë, ndërsa refuzon që qytetarët të kenë mundësi të votojnë lirisht për kandidatët, pavarësisht renditjes së tyre nga kryetarët apo strukturat drejtuese të partive.
Në vijim, deputeti demokrat shpjegoi se kërkesa për një qeveri kujdestare lidhet me atë që ai e cilësoi si situatë anormale të qeverisjes së Edi Ramës. Sipas tij, Kodi Zgjedhor dhe dispozitat e tjera ligjore mund të garantojnë zgjedhje normale vetëm në kushtet e një qeverie normale.
‘Tani t’i marrim me radhë dhe t’i demonstrojmë pak. Taulant Balla thotë se më 30 nëntor bëhet nami, se ne e bëjmë vetëm. Bashkimi Europian tha: bëjeni me konsensus. Ne kemi përpara tre javë, ndoshta edhe më pak.
Nga ajo që perceptoj unë, presioni është në rritje. Pothuajse në mënyrë masive, deputetët e Bashkimit Europian kanë folur me tone negative, jo vetëm për dhunën ndaj protestuesve...
Më dëgjo, më dëgjo pak. Jo vetëm për dhunën masive, jo vetëm për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sot Shqipëria, por edhe për kërkesën për një reformë zgjedhore konsensuale. Ndërkohë, del Taulant Balla dhe thotë: «E bëjmë vetë ne». Gjiknuri thotë se ligji është shumë i mirë dhe nuk ka nevojë për reformë.
Ndërkohë, protestuesit kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor. Partia Demokratike, përpara protestuesve, ka kërkuar proporcional kombëtar me lista të hapura. Kësaj i kemi shtuar edhe kërkesën për lista 100% të hapura për këshillat bashkiakë, pra si për Parlamentin, ashtu edhe për këshillat bashkiakë.
Për diçka që duhet ta dini: ne e kemi kërkuar këtë që në vitin 2024. Proporcionalin kombëtar me lista të hapura e kemi kërkuar unë dhe Gjiknuri, por Gjiknuri e refuzonte.
Në fund fare, Gjiknuri propozoi dy versione, nga të cilat më pas lidershipi i opozitës zgjodhi njërin. Por ai nuk pranoi...
Listat e Ballës e mbyllën garën. Tani ne po kërkojmë që ajo të jetë 100% e hapur. Çfarë thotë Balla? Doli sot dhe tha se ne jemi kundër listave të hapura.
Pra, ata kërkojnë të ndryshojnë mënyrën e hartimit të listës për këshillat bashkiakë, për të futur atë sajesën që kanë bërë me reformën territoriale, por refuzojnë që, për të njëjtën gjë, pra për listën e këshillit bashkiak, ta hapin votimin 100%. Kjo do të thotë që edhe kandidati i renditur i fundit të ketë mundësinë të zgjidhet këshilltar, nëse merr më shumë vota sesa ai që kryetari apo kryesia e partisë kanë vendosur në vend të parë.
Kjo është ajo që kërkojnë njerëzit. Po e kërkojnë të gjithë, jo vetëm partitë e mëdha apo partitë e vogla. Sistemet zgjedhore nuk bëhen as për partitë e mëdha, as për partitë e vogla. Ato bëhen që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të ndershme.
Këtë po e kërkojnë njerëzit në rrugë, sepse e kanë kuptuar mirë. Nesër mund t'ua ndryshojnë mendjen dhe të thonë: Jo, nuk duam lista të hapura, duam mazhoritar. Por ti duhet t'i përgjigjesh asaj që kërkojnë njerëzit. Balla thotë jo. Pra, ta ngulin në kokë njerëzit: Balla, përmes Ramës, thotë se nuk duam...
Tani, numri i atyre që thonë se opozita nuk duhet të ulet për të bërë reformën zgjedhore mund të jetë i vogël, por bëjnë shumë zhurmë. Si minorancë, dëgjohen në media, i marrin dhe i vendosin nëpër studio, por janë një pjesë e vogël dhe, gjithashtu, e pamend.
Ndërkohë, një sekondë. Në ditët më të zeza të viteve 2001, 2002 dhe 2003, Partia Demokratike u ul gjatë gjithë kohës me Partinë Socialiste. Në një vend të vetëm nuk u ul. Unë kam qenë në OSBE në atë kohë. Kam qenë ekspert i OSBE-së, nuk kam qenë me PD-në.
Partia Demokratike veproi në mënyrë perfekte. U ul në reformën e parë konsensuale të suksesshme, madje, në vitet 2002-2003 dhe arriti ndryshime të mëdha. Vazhduam me zgjedhjet e vitit 2003, në të cilat socialistët përsëri vazhduan të vjedhin. Diçka më pak, por përsëri i vodhën zgjedhjet në vitin 2003. Më pas u bë reforma tjetër konsensuale në vitin 2004 dhe Partia Demokratike fitoi zgjedhjet në vitin 2005.
Pra, të thuash se, meqë Rama është ky që është, nuk duhet të bëhet reformë, besoj se nuk ka ndonjë diskutim për vullnetin e zi, jo thjesht negativ, të Edi Ramës në raport me zgjedhjet. Kjo sepse zgjedhjet e lira ia heqin mundësinë për të qëndruar në pushtet.
Të thuash që Partia Demokratike dhe opozita, në emër të vetes dhe të gjithë opozitës, edhe të atyre që sot ende nuk kanë parti, por do të kenë nesër, kushdo qofshin dhe kurdo që të jenë, të mos garantojnë rregulla edhe më të forta dhe më të mira se ato që janë sot, është e papranueshme.
Sepse ne kemi... Ore, Kodi Zgjedhor, hiq sistemin zgjedhor. Kodi Zgjedhor, në shumicën dërrmuese të dispozitave të tij, garanton zgjedhje normale, por kur ke një qeveri normale.
Meqenëse kjo e Ramës nuk është një qeveri normale, ne po kërkojmë një qeveri kujdestare. Përndryshe, pse duhet të jetë? Pse duhet të ketë qeveri teknike?
Pra, në kushte anomale kërkohen zgjidhje të posaçme. Anomalia është Rama, ndërsa qeveria kujdestare është ajo që kërkojmë ne.
Një qeveri kujdestare do ta zbatonte siç duhet edhe këtë ligj. Edhe ky ligj e ndalon shtetin të përfshihet në zgjedhje. Edhe Kodi Penal i thotë prokurorisë të ndjekë çdo cenim të votës. Por SPAK-u nuk e bën. Prokuroria nuk e bën.’, u shpreh Oerd Bylykbashi në SYRI TV.
© SYRI.net
‘Ndihmë ekonomike në këmbim të votave për PS-në’/ Dosja e plotë në SPAK e deputetes së PS, Sara Mila
‘Oltion Bistri, njeri i Ramës’/ Saraçi: Kush i zhduku akuzat për korrupsion dhe pastrim parash në shkallën e parë?
Bajaziti: PS e ka zhvendosur selinë në SPAK, zgjedhjet e 2025-s prodhuan një parlament pa legjitimitet demokratik