Dhjetëra mijëra persona janë mbledhur në qendër të Varshavës, kryeqytetit të Polonisë, për Marshimin tradicional të Pavarësisë, një aktivitet që çdo vit mbledh mijëra nacionalistë dhe mbështetës të së djathtës ekstreme.

Pjesëmarrësit, të pajisur me flamuj kombëtarë, kanë mbushur rrugët e kryeqytetit polak, ndërsa autoritetet kanë vendosur masa të shtuara sigurie dhe kanë angazhuar forca shtesë policore.

Marshimi zhvillohet në një klimë tensionesh politike, pas incidentit me të shtëna me armë zjarri në Krakovë, ku pati viktima.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, në aktivitet pritet të marrin pjesë edhe persona nga vende të ndryshme të Evropës, ndërsa organizimi konsiderohet një nga tubimet më të mëdha nacionaliste të këtij lloji në kontinent.

Përpara nisjes së marshimit, në Varshavë u organizua edhe i ashtuquajturi “Qyteti i Pavarësisë”, me tezga dhe kioska të vendosura pranë Pallatit të Kulturës, një prej ndërtesave simbol të kryeqytetit.

Në këtë hapësirë prezantuan aktivitetin e tyre organizata të krahut të djathtë, shoqata gjuetarësh dhe grupe nacionaliste. Në stendat e tyre ekspozoheshin flamuj, libra fetarë, materiale të cilësuara si patriotike, si dhe publikime me përmbajtje euroskeptike, antiukrainase dhe antisemite.

Krahas simboleve kombëtare, në disa prej stendave u vunë re edhe kryqe kelte dhe slogane të lidhura me lëvizjet e ekstremit të djathtë.

Disa pjesëmarrës shprehën për AFP-në motivet e tyre për të qenë pjesë e marshimit. Një 52-vjeçar nga qyteti i Przemysl deklaroi se pjesëmarrja ishte një mënyrë për të treguar patriotizmin dhe përkatësinë e tij kombëtare.

Marshimi organizohet çdo 11 nëntor, në përkujtim të rifitimit të pavarësisë së Polonisë më 11 nëntor 1918, pas më shumë se një shekulli nën sundimin e fuqive të huaja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb