Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk janë ato që e nisën konfliktin me Iranin, duke pretenduar se përplasja mes dy vendeve daton që prej vitit 1979.
Gjatë ceremonisë për Ditën e Veteranëve, të zhvilluar në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, Trump u shpreh se konflikti duhej të ishte zgjidhur shumë vite më parë. Ai pretendoi se SHBA-të e kanë fituar tashmë luftën, por nënvizoi se synimi i administratës së tij është një rezultat përfundimtar.
“Është vetëm çështje kohe se kur duam ta përfundojmë atë. Ne duam të sigurojmë një fitore të plotë, jo një fitore prej 93%”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Trump paralajmëroi gjithashtu se Iranit mund t’i duhen rreth 25 vite për të rindërtuar dëmet e shkaktuara nga lufta. “Do t’u duhen atyre 25 vjet për të rindërtuar atë që shkatërruam dhe shpresoj se nuk do të na duhet të shkatërrojmë më shumë nga ky vend”, u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, presidenti amerikan krahasoi konfliktin aktual me ndërhyrjet e mëparshme ushtarake të SHBA-së në Kore, Vietnam, Irak dhe Afganistan. Ai foli gjithashtu për operacionin në Venezuelë, të cilin e cilësoi si një sukses të jashtëzakonshëm, duke pretenduar se kishte përfunduar brenda 48 minutash.
Duke u ndalur te burimet natyrore të Venezuelës, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të përfitojnë miliarda dollarë nga nafta dhe mallrat e tjera. Sipas tij, të ardhurat e pritshme e kanë tejkaluar disa herë koston e operacionit.
Gjatë ceremonisë, ai prezantoi edhe projektin për ndërtimin e një harku triumfi rreth 250 metra të lartë, që do të vendoset mes Memorialit të Abraham Lincoln dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit, në nder të veteranëve dhe ushtrisë amerikane. Projekti është kundërshtuar në gjykatë, ndërsa kritikët paralajmërojnë për ndikimin që mund të ketë mbi pamjen historike të kryeqytetit.
Në fund, Trump pranoi se administrata e tij mund të përballet me pengesa, por u shpreh i bindur se do t’i kapërcejë ato: “Ne po bëjmë gjëra që askush nuk i mendonte kurrë se ishin të mundshme dhe, po, do të përballemi me disa pengesa të vogla. Do t’i trajtojmë ato shumë mirë”.
