Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka bërë publike kërkesat e opozitës për Reformën Zgjedhore, duke renditur ndryshimet që PD kërkon të realizohen përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Në një intervistë në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Kaso u shpreh se prioritet është zhbërja e ndryshimeve të miratuara në mënyrë të njëanshme në vitin 2020, të cilat, sipas tij, ndryshuan rregullat e dakordësuara më herët përmes marrëveshjes së 5 qershorit.
Sipas deputetit demokrat, ndryshimet e asaj kohe prekën Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, duke hequr formulën e mëparshme të koalicioneve parazgjedhore. Kaso pretendoi se kjo ndërhyrje i dha mundësi mazhorancës të siguronte mandatin e tretë.
Një tjetër kërkesë e opozitës është kalimi drejt një sistemi proporcional kombëtar me një zonë të vetme zgjedhore dhe lista 100% të hapura. Kjo, sipas Kasos, do t’u jepte qytetarëve mundësinë të zgjidhnin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre përmes votës së shumëfishtë, një model që përdoret edhe në vende të tjera, përfshirë Kosovën.
PD kërkon gjithashtu rikthimin e formulës së koalicioneve parazgjedhore, duke propozuar që partitë të garojnë brenda koalicionit me listat dhe siglat e tyre. Në këtë mënyrë, secila forcë politike do të kishte mundësi të grumbullonte votat e veta dhe të siguronte mandate në bazë të fuqisë elektorale.
I pyetur nëse në tryezën e Reformës Zgjedhore do të kërkohet edhe zhbërja e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, Kaso sqaroi se një ndërhyrje e tillë kërkon një reformë më të gjerë kushtetuese dhe nuk është pjesë e mandatit aktual të Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Ai theksoi se për ndryshime të tilla nevojiten 93 vota në Kuvend, të cilat nuk mund t’i sigurojë e vetme as opozita dhe as mazhoranca, ndaj do të duhej një dialog politik më i gjerë për hartimin e një arkitekture të re kushtetuese.













