Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtoi mbledhjen e radhës të Këshillit të Investimeve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë, ku u diskutuan çështje që lidhen me përmirësimin e klimës së investimeve, përafrimin e bizneseve me standardet e Bashkimit Evropian dhe lehtësimin e procedurave administrative.
Gjatë mbledhjes u prezantua analiza e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve dhe rekomandimet për adresimin e sfidave me të cilat përballen bizneset në procesin e integrimit evropian.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se “përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së kërkon jo vetëm miratimin e akteve ligjore, por edhe përgatitjen e ndërmarrjeve për zbatimin e kërkesave të reja që lidhen me prodhimin, ofrimin e shërbimeve dhe konkurrueshmërinë në tregun evropian”.
Në këtë drejtim, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka nisur punën për një program që synon të ndihmojë bizneset shqiptare në përafrimin me standardet evropiane dhe përgatitjen për aksesin në tregun e përbashkët evropian.
Programi do të zbatohet në disa faza, duke nisur me informimin e bizneseve mbi standardet horizontale, të zbatueshme për të gjithë sektorët, dhe standardet vertikale, që lidhen me sektorë të veçantë të ekonomisë.
Një element i rëndësishëm do të jetë evidentimi i nivelit të përgatitjes së bizneseve përmes mbledhjes së informacionit drejtpërdrejt pranë ndërmarrjeve. Ky proces do të mundësojë identifikimin e nevojave konkrete dhe ndërtimin e instrumenteve të përshtatshme mbështetëse, veçanërisht për investimet në teknologji, pajisje, ambiente dhe certifikime të nevojshme për përmbushjen e standardeve evropiane.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se mbështetja për certifikimin dhe modernizimin e ndërmarrjeve është përfshirë edhe në programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ndërsa po shqyrtohen edhe instrumente të tjera financiare, përfshirë mundësinë e granteve të dedikuara.
Një tjetër fokus i mbledhjes ishte thjeshtimi i procedurave administrative dhe identifikimi i barrierave që ndikojnë në aktivitetin e sipërmarrjeve.
Lidhur me këtë, ministrja informoi se “në muajin dhjetor do të rinisin tryezat e konsultimit me sektorë të ndryshëm të ekonomisë, me qëllim shqyrtimin e procedurave për marrjen e lejeve, licencave, autorizimeve dhe shërbimeve të tjera publike, si dhe identifikimin e kostove dhe pengesave që has biznesi gjatë këtyre proceseve”.
Ministrja ftoi përfaqësuesit e biznesit dhe shoqatat të angazhohen aktivisht në këto tryeza, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në evidentimin e problematikave dhe hartimin e zgjidhjeve konkrete.
Në diskutim u përfshinë gjithashtu forcimi i sistemit të klasifikimit, monitorimit dhe inspektimit, përmirësimi i standardeve në sektorin e turizmit dhe garantimi i një zbatimi të barabartë të kërkesave ligjore për të gjitha bizneset.
Gjatë mbledhjes, ministrja Ibrahimaj u ndal gjithashtu te projektligji i ri “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili ndodhet në proces konsultimi publik.
Projektligji synon të krijojë një kuadër ligjor në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke marrë parasysh rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe sugjerimet e ardhura ndër vite nga komuniteti i biznesit dhe grupet e interesit.
Kuadri i ri parashikon mekanizma për mbrojtjen e investimeve, shqyrtimin e investimeve të huaja direkte, si dhe masa mbështetëse për investitorët.
Ministrja theksoi se procesi i konsultimit do të vijojë me qëllim përfshirjen e rekomandimeve të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa aktet nënligjore do të përgatiten dhe diskutohen paralelisht me projektligjin, për të garantuar një kuadër të plotë dhe funksional.










