“Pa normalizim me Kosovën, Serbia nuk mund të shkëputet nga e kaluara”/ Rama nga Dublini: Integrimi gradual në BE është qasja e duhur, Shqipëria në moment kulminant
Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Dublini raportin e Komisionit Europian dhe polemikat për protestat e “Flamingove”, duke vlerësuar se raporti është i bazuar në fakte dhe nuk është ndikuar nga perceptimet apo interesat e jashtme.
Kreu i qeverisë e cilësoi “Revolucionin e Flamingove” si rezultat të urrejtjes ndaj Donald Trumpit, duke pretenduar se çështja mjedisore u amplifikua nga kundërshtarët e presidentit amerikan.
“Aq sa i sofistikuar që është Komisioni, është një makineri e sofistikuar për të shqyrtuar dhe vlerësuar faktet në bazë të fakteve. Sot merr shumë raporte që mbështeten në perceptime, të cilat mbështeten në interesa, ndërkohë që raporti i Komisionit është një vlerësim tërësor dhe i besueshëm i asaj që shkon ose nuk shkon mirë. Pas kaq shumë indinjatash, me një amplifikim të jashtëzakonshëm në median botërore, morëm një raport që nuk ishte aspak i influencuar kur bëhet fjalë për faktet. Nuk ka asnjë shans që kjo gjë të ndikojë në ndonjë mënyrë te Komisioni.
Revolucioni i Flamingove është rezultat i një urrejtjeje kundër Trumpit. Nëse hija e Trumpit nuk do të ishte në sfond të kësaj çështjeje mjedisore, atëherë nuk do të kishit dëgjuar për flamingot në Shqipëri. Të gjithë ata që urrejnë Trumpin gjetën bulevardin e Tiranës për të bërë këtë betejë, njësoj si Cezari që gjeti Shqipërinë e Jugut për fjalën e fundit ndaj Pompeut. Por sa e vështirë është për një vend të vogël për të hedhur të vërtetën në këtë hapësirë kaq të madhe të medias sot”, tha Rama.
Gjithashtu kreu i qeverie foli edhe për Jared Kushner, ku u shpreh se nuk ka marrë trajtim të ndryshëm nga investitorët e tjerë lidhur me projektin e ishullit të Sazanit, duke shtuar se negociatat vijojnë dhe se publiku shqiptar duhet të jetë pjesë e procesit. Rama bëri të ditur se vetëm 8 për qind e ishullit parashikohet të ndërtohet, ndërsa qeveria ka kërkuar një projekt që të kthehet në simbol dhe emblemë në Europë, e jo në një investim spekulativ.
“Irlandezët janë shumë të ngjashëm me shqiptarët kur bëhet fjalë për këtë. Ne nuk jemi francezë, por jemi kokëforte e të pasofistikuar. Mund edhe të krenohemi që nuk jemi kaq të sofistikuar, që t’i themi të vërtetat për ato interesat e përditshme. Kur u zgjodh Trump, më thanë që është shumë rrezik, sepse jam mik me Sorosin dhe të birin. Megjithatë unë nuk diskutoj as miqësinë e as besnikërinë me miq që i kam për kohë të gjatë, por ka edhe një të vërtetë tjetër që e kam thënë, që kur kam takuar Kushnerin dhe folëm për këtë projekt, e ardhmja e Trump nuk ishte kaq e qartë. Ai ishte një kandidat për të shkuar në burg. Unë pash një amerikan që donte të bënte diçka për vendin tim. Unë s’dua t’ja di se çp’o ndodh me SHBA-të, sepse kur bëhet fjalë për këtë projekt, s’ka asgjë për të pasur frikë, por përkundrazi për t’u ndierë krenar. Nga faktet do të shihni se Kushner nuk ka marrë asnjë trajtim të ndryshëm sesa kanë marrë asnjë trajtim të ndryshëm që ju është dhënë edhe investitorëve të tjerë lokalë e ndërkombëtarë. Vetëm 8 % e ishullit mund të ndërtohet. Sepse qeveria shqiptare ka kërkuar një projekt që të jetë emblemë në Europë”, vijoi kryeministri.
Top Channel