
Thirrjet e përditshme të kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët protestues po shoqërohen me pikëpyetje dhe kundërshti nga vetë përfaqësuesit e protestës. Gjatë një interviste në emisionin ”Koha Jonë-Debat” nga Nikoll Lesi, studentja protestuese Irini Myftaraj u përball me pyetjen se përse studentët nuk shkojnë në takimin e propozuar dhe nuk ia thonë drejtpërdrejt kryeministrit kërkesën për dorëheqje.
“Pse nuk shkoni në takim dhe i thoni: Ti, zoti kryeministër, duhet të japësh dorëheqjen, duke e thënë LIVE! Se ai me karrige prapë aty do rrijë!”, ishte pyetja e Lesit. Në përgjigjen e saj, Myftaraj e zhvendosi vëmendjen te mungesa e një përballjeje të drejtpërdrejtë me studentët, duke përdorur një shprehje ironike për mënyrën se si sipas saj, po zhvillohet komunikimi me qeverinë. “Ai vetëm nxjerr karriget, se për t’u ulur nuk ulet, për të na pritur. Pse nuk rrini aty, por fshiheni sa vendosni letrat, meqenëse doni dialog? Pse nuk del përpara një sheshi?”, deklaroi studentja.
Deklarata vjen në një kohë kur Rama ka përsëritur publikisht thirrjet për dialog, ndërsa studentët vijojnë të artikulojnë kundërshtitë dhe kërkesat e tyre përballë qeverisë. Për protestuesit, çështja nuk është thjesht organizimi i një takimi, por mënyra se si ai zhvillohet dhe nëse kryeministri është i gatshëm të përballet drejtpërdrejt me ta.
Lesi: Pse nuk shkoni në takim, dhe i thoni: Ti z.kryeministër duhet të japësh dorëheqjen, duke e thënë LIVE! Se ai me karrige prap aty do rrijë!
Myftaraj: Ai vetëm nxjerr karriget, se për tu ulur nuk ulet, për të na pritur. Pse nuk rrini aty por fshiheni sa vendosni letrat, meqenëse doni dialog? Pse nuk del përpara një sheshi.
