E mërkurë, 11 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Opozita e shkërmoqur në zgjedhje, Arlind Qori konfirmon kandidaturën për Tiranën
Lajme

Opozita e shkërmoqur në zgjedhje, Arlind Qori konfirmon kandidaturën për Tiranën

Arlind Qori do të jetë kandidati i Lëvizjes “Bashkë” për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore. Kreu i kësaj force politike ka konfirmuar se vendimi për kandidimin e tij është marrë prej kohësh, por ka theksuar se për momentin partia nuk e ka përqendrimin te gara lokale.

I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH 24, Qori sqaroi se kandidatura e tij nuk është një vendim i ri. Ajo ishte miratuar nga strukturat drejtuese të Lëvizjes “Bashkë” që në kohën kur u njoftuan zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, të cilat më pas u anuluan.

“Ne nuk kemi bërë asgjë të re dhe asgjë të papritur. Këtë vendim e kemi marrë një vit më parë, kur u thirrën zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Unë dola asokohe me vendim të Këshillit Koordinues të Lëvizjes Bashkë dhe thashë se do të jem kandidat i Lëvizjes Bashkë për zgjedhjet e Tiranës. Sigurisht zgjedhjet u anuluan, por unë mbetem kandidat”, deklaroi ai.

Megjithatë, Qori bëri të qartë se beteja e tanishme politike e partisë së tij nuk është fushata për Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, objektivi kryesor është mbështetja e protestave qytetare dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të parakohshme parlamentare, përpara zgjedhjeve lokale.

Ai tha se vetëm nëse ky objektiv nuk arrihet, Lëvizja “Bashkë” do të përqendrohet te gara për drejtimin e kryeqytetit, ku ai do të jetë kandidati i saj.

Qori: Kandidimi është përgjegjësi, por edhe rrezik politik

Kreu i Lëvizjes “Bashkë” e cilësoi kandidimin për kryetar të Bashkisë së Tiranës si një përgjegjësi të rëndësishme politike, por edhe si një sfidë që mund të ndikojë drejtpërdrejt te vetë partia.

Ai kujtoi se kishte kandiduar edhe në vitin 2023, pak kohë pas krijimit të forcës politike, duke argumentuar se një kryetar partie që hyn në garë për drejtimin e kryeqytetit merr përsipër edhe përgjegjësinë për rezultatin e subjektit që përfaqëson.

“Në qoftë se kryetari i partisë nuk del mirë në zgjedhje, atëherë kjo është një disfatë jo vetëm për mua, por edhe për Lëvizjen Bashkë. Kështu që e konsideroj edhe një akt përkushtimi dhe një përpjekje politike”, u shpreh Qori.

Paralajmëron largimin nga drejtimi i partisë në vitin 2029

Gjatë intervistës, Qori zbuloi gjithashtu se nuk synon të qëndrojë gjatë në krye të Lëvizjes “Bashkë”. Ai deklaroi se në vitin 2029 nuk do të kandidojë për një mandat tjetër si kryetar, pasi atëherë do të plotësohen shtatë vite në drejtimin e partisë.

“Unë nuk jam një kryetar i zakonshëm partie. Jam një kryetar partie që kam vendosur që në vitin 2029 nuk do të jem më kryetar i Lëvizjes Bashkë. Në vitin 2029 do të bëhen shtatë vjet që unë kam qenë kryetar dhe nuk do të jem kandidat në kongresin e ardhshëm të Lëvizjes Bashkë për kryetar”, deklaroi ai.

Sipas tij, edhe pse statuti i partisë nuk përcakton kufizime për mandatet e drejtuesit, largimi pas një periudhe të caktuar është çështje përgjegjësie dhe shembulli politik.

Lëvizja “Bashkë” përqendrohet te protestat kundër qeverisë

Qori foli edhe për angazhimin e partisë në protestat kundër qeverisë, duke bërë të ditur se që prej qershorit kanë pezulluar pjesën më të madhe të aktiviteteve të zakonshme partiake për t’u përqendruar te mobilizimi qytetar.

Ai theksoi se Lëvizja “Bashkë” nuk po i trajton protestat si pjesë të një fushate elektorale, por si një mundësi për të sjellë ndryshim politik dhe për të kërkuar largimin e qeverisë pa destabilizuar vendin.

Qori shprehu dëshirën që përmes protestave qytetare të krijohet një precedent i ri politik, ku një qeveri të largohet nga pushteti pa përsëritur përplasjet e dhunshme të së kaluarës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.